Policia: Dy kërcënime të rreme për bombë në Prishtinë nga i njëjti

0%

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka zbuluar një lidhje mes dy kërcënimeve të rreme për bombë që kishin në shënjestër Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, duke dyshuar se pas tyre qëndron i njëjti autor i telefonatave, i lokalizuar në Serbi.

Sipas njoftimit zyrtar, më 30 qershor rreth orës , Qendra Operative e Policisë së Kosovës ka pranuar një telefonatë nga një person që fliste në gjuhën serbe, i cili ka pretenduar në mënyrë të rreme se në objektin e Stacionit të Autobusëve ishte vendosur një mjet shpërthyes.

Menjëherë pas sinjalizimit, njësitë policore kanë evakuuar qytetarët dhe kanë siguruar perimetrin, ndërsa në vendngjarje janë angazhuar edhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese, njësia K9, hetuesit policorë, zjarrfikësit, autoambulanca dhe Drejtoria e Emergjencave e Komunës së Prishtinës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pas kontrollit të detajuar, nuk është gjetur asnjë mjet shpërthyes dhe stacioni është rikthyer në funksion normal. Lidhur me rastin, prokurori kompetent ka autorizuar inicimin e procedurës për veprën penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Policia ka bërë të ditur se rasti është i ndërlidhur me një kërcënim të ngjashëm të ndodhur më 22 qershor, ku ishte synuar i njëjti objekt. Hetimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike kanë zbuluar se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefoni në Serbi.

Sipas Policisë së Kosovës, analizat teknike dhe provat elektronike të siguruara e forcojnë dyshimin për lidhjen mes dy rasteve, të cilat tashmë janë pjesë e procedurës hetimore. Policia ka theksuar se posedon kapacitete të avancuara në hetimet kibernetike dhe gjurmimin e komunikimeve kriminale, duke shtuar se autorët e tillë nuk mbeten anonimë.

Në fund, Policia e Kosovës ka bërë thirrje për qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave dhe ka ritheksuar përkushtimin për garantimin e sigurisë publike dhe luftimin e çdo aktiviteti kriminal që cenon rendin dhe qetësinë në vend.

Burimi: Telegrafi