Përzgjedhësi i Holandës, Ronald Koeman, tha se momenti vendimtar në humbjen ndaj Marokut ishte penalltia e dytë, e cila, sipas tij, ndikoi dukshëm në rrjedhën e takimit dhe në gjendjen emocionale të futbollistëve. Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Koeman vlerësoi se skuadra e tij kishte zbatuar planin e paraparë, ndërsa theksoi se fati nuk ishte në anën e Holandës.
“Penalltia e dytë ishte momenti kyç i ndeshjes. Fillimisht u duk se portieri e ndali goditjen, por topi përfundoi në rrjetë. Ai moment ndikoi edhe në aspektin emocional të ekipit”, u shpreh Koeman. Trajneri holandez sqaroi edhe arsyen pse kapiteni Virgil van Dijk nuk ishte në mesin e ekzekutuesve të penalltive. “Van Dijk kishte ngërçe dhe nuk ishte në gjendje të godiste.
Për këtë arsye përgjegjësinë e mori Crysencio Summerville. Nëse ai nuk do ta bënte këtë, atëherë do të godiste Van Dijk”, tha Koeman. I pyetur për kritikat ndaj paraqitjes së Holandës në kohën shtesë, ku skuadra pati posedim të ulët të topit, Koeman pranoi se ka hapësirë për përmirësime, por mbrojti paraqitjen e ekipit.
“Në disa momente u tërhoqëm shumë pranë zonës sonë, por u mbrojtëm mirë. Kur përballesh me një skuadër cilësore si Maroku, duhet të shmangësh gabimet. Kemi marrë kritika edhe më parë për mënyrën si kemi luajtur, por kjo nuk ndryshon vlerësimin tim për ndeshjen”, deklaroi ai. Sa i përket të ardhmes së tij në stolin e Holandës, Koeman nuk dha detaje.
“Kam mendimet e mia, por nuk është momenti për t’i bërë publike”, përfundoi përzgjedhësi holandez.
