Herë me simbole fetare e herë me ato të komunitetit LGBTIQ+, po paraqiten udhëheqës institucional e deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga faqe, profile e grupe të ndryshme nëpër rrjetet sociale. Në këto publikime, orientimi seksual, raca apo gjuha përdoret si mjet sulm ndaj politikanëve, kryesisht duke i manipuluar fotografitë dhe videot përmes Inteligjencës Artificiale.
Cak i këtyre postimeve kanë qenë politikanë të të gjitha partive politike në vend. Pjesa më e madhe e fotografive dhe videove të manipuluara i portretizojnë politikanët burra si pjesë e komunitetit LGBTIQ+ Pas konfirmimit të kandidaturës së tij për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Osman Musliu është bërë subjekt i publikimeve manipuluese në rrjetet sociale.
Osman Musliu ka qenë imam në Xhami deri në kohën kur ka filluar fushata elektorale. Në disa raste të verifikuara nga Krypometër, ai dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti janë paraqitur në mënyrë të rreme me simbole të komunitetit LGBTIQ+ përmes disa fotografive të gjeneruara me inteligjencë artificiale (shih këtu dhe këtu ) Krahas përmbajtjeve manipuluese që synojnë të krijojnë narrativa të rreme rreth orientimit seksual, figura publike janë bërë objekt edhe i publikimeve që përdorin identitetin fetar si mjet për diskreditim ( link ).
Një nga rastet që ka verifikuar Krypometër, është një fotografi e publikuar në Facebook, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Imami, Osman Musliu paraqiten të veshur si imamë në sallën e Kuvendit të Kosovës (shih këtu ) Publikimi shoqërohet me një përshkrim që përdor referenca fetare dhe gjuhë kritike ndaj personave të paraqitur në fotografi.
Një tjetër përmbajtje e publikuar në Facebook paraqet Kurtin me veshje të klerikëve ortodoksë, duke krijuar një lidhje të rreme mes tij dhe identitetit fetar përmes një materiali të manipuluar.
Videoja, e shpërndarë nga një faqe në Facebook, e verifikuar nga Krypometër, shoqërohej me pretendime për çështjen e Manastirit të Deçanit dhe përmbante një deklaratë të rreme, e cila pretendohej se ishte thënë nga Kurti. Imazhi origjinal i përkiste drejtuesit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, ndërsa fotografia ishte ndryshuar duke vendosur figurën e Kurtit në atë material ( link ).
Pos këtyre, në rrjetet sociale po qarkullojnë përmbajtje të manipuluara që synojnë të paraqesin në mënyrë të rreme figura publike përmes elementeve të lidhura me përkatësinë etnike Këto përmbajtje po krijohen përmes montimeve të fotografive, manipulimeve të videove dhe përdorimit të elementeve të identitetit, me qëllim krijimin e narrativave denigruese ndaj personave të caktuar.
Në disa raste, figurat publike janë paraqitur në mënyrë të rreme si pjesë e komuniteteve të caktuara, përmes vendosjes së simboleve, veshjeve ose elementeve kulturore që nuk lidhen me paraqitjen reale të tyre ( link ).
Në raste të tjera, deklaratat janë manipuluar përmes ndryshimit të zërit ose përpunimit të videos, duke krijuar pretendime të pavërteta për gjuhën apo identitetin e personave të paraqitur. Një rast i tillë që Krypometër ka verifikuar, lidhet me ministrin në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha që paraqitet duke folur në gjuhen rome.
Pas verifikimit të Krypometër, rezultoi se Basha kishte folur në gjuhën shqipe dhe se përmbajtja ishte ndryshuar për të krijuar një pretendim të rremë ( link ). Një nga shtyllat kryesore të dezinformatës Ruse në vitet e kaluara ka qenë sulmi ndaj komunitetit LGBTQI+, duke synuar të ndikojë tek pjesa e shoqërisë konservatore përmes frikës për prishjen e familjes.
Këto synime të dezinformatës ruse janë dekonspiruara përmes raporteve të publikuara në BE . EUvsDisinfo është një iniciativë e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), e krijuar në vitin 2015 nga Task Forca e Komunikimit Strategjik për Lindjen (STRATCOM) për të monitoruar, analizuar dhe ekspozuar fushatat e dezinformimit dhe manipulimit informativ.
Kjo platfromë e BE ka identifikuara fushata të dezinformimit që kanë target politikanë dhe vetëm komunitetin LGBTQI+ (shih këtu ). Platforma përmes disa hulumtimeve ka shpjeguar se si Rusia përmes dezinformatave ka tentuar të ndikojë në zgjedhje nëpër disa shtete; madje shpërndarë dezinformata se si kinse BE dhe NATO ka për synim shkatërrimin e familjes.
Raporti “ Shtyllat e Ekosistemit të Dezinformimit dhe Propagandës së Rusisë ” i Departamentit të Shtetit Amerikan (GEC) ka shpjeguar se si kisha ortodokse ruse, mediat shtetërore dhe sajtet “proxy” (pseudonime ose faqe të fshehura lajmesh) koordinohen për të përhapur dezinformata kundër BE dhe vlerave familjare.
Adelina Hasani, Hulumtuese e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në KIPRED, ka thënë se në rrjetet sociale, sidomos gjatë fushatave zgjedhore, është vërejtur përdorimi i inteligjencës artificiale dhe deepfake për të targetuar liderët/et politikë/e.
“Grupet e ekstremit të djathtë zakonisht synojnë gratë, komunitetin LGBTIQ+ dhe minoritetet etnike, duke promovuar ideologji dhe narrativa anti-gjinore dhe përjashtuese. Këto narrativa shpesh ndërtohen mbi një kuadër të ngushtë të “moralit shoqëror” dhe “rendit tradicional”, ku role të caktuara gjinore dhe identitare paraqiten si të kërcënuara.
Në shumë raste, këto ideologji kombinohen edhe me nacionalizëm etnik dhe fetar, duke krijuar një diskurs të përzier që synon të mobilizojë ndjenja frike, pasigurie dhe kërcënimi ekzistencial ndaj identitetit kolektiv.
Kjo kontribuon drejtpërdrejt në polarizimin e opinionit publik dhe në normalizimin e gjuhës përjashtuese në hapësirën digjitale”, – ka thënë Hasani Ajo ka shtuar se përmes përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale dhe deepfake, është ndërtuar narrativa të rreme që synojnë diskreditimin e tyre dhe nxitjen e perceptimeve të manipuluara publike.
“Në një rast, kandidati Osman Musliu është paraqitur në një takim të fabrikuar me ish-liderin suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke synuar krijimin e asociacioneve politike dhe ideologjike të pabazuara. Në të njëjtën kohë, Kryeministri z.
Kurti është portretizuar në mënyrë të rreme si klerik ortodoks, me qëllim mobilizimin e grupeve nacionaliste dhe përforcimin e narrativave që sugjerojnë lidhje të tij me interesa të jashtme, përfshirë komunitetin serb në Kosovë.
Në këtë kuptim, këto përmbajtje nuk synojnë vetëm dezinformimin, por edhe prodhimin e një ndjenje pasigurie dhe paniku moral, duke ndërtuar teori konspirative rreth agjendave të fshehura politike”, – ka shtuar ajo Hasani ka thënë se përmbajtjet e gjeneruara me AI përdoren edhe për targetimin e komunitetit LGBTIQ+ dhe grave, të cilat mbeten ndër grupet kryesore të ekspozuara ndaj narrativave të ekstremit të djathtë.
“Këto lloj imazhesh kanë karakter thellësisht pezhorativ, pasi synojnë të delegjitimojnë dhe të stigmatizojnë përmes nënkuptimeve mbi “mungesën e maskulinitetit” dhe devijimin nga normat tradicionale gjinore.
Në thelb, ato nuk lidhen vetëm me figurat politike të targetuara, por shërbejnë si mekanizëm për prodhimin e narrativave përjashtuese ndaj vetë komunitetit LGBTIQ+, duke e përdorur identitetin gjinor dhe seksual si instrument diskreditimi social dhe politik”, – ka përfunduar ajo.
Ky material është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar; megjithatë, pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
