Maroku e fitoi respektin e botës pasi eliminoi Holandën

0%

Shpërndaje në: Trajneri i Marokut, Mohamed Ouahbi ka thënë se ekipi i tij ka fituar respektin e botës së futbollit pasi e eliminoi me penallti përfaqësuesen e Holandës. Ouahbi ka shtuar se lojtarët ishin të motivuar nga dëshira për t’i bërë krenarë miliona shikues në shtëpi. Maroku fitoi 3:2 në penallti ndaj Holandës, të martën në mëngjes. Ndeshja në kohën e rregullt përfundoi 1:1.

Tani Maroku përballet me Kanadanë në 1/8 e finales. Ismael Saibari e shndërroi në gol penalltinë e fundit, pasi portieri Yassine Bounou ndali gjuajtjen e Crysencio Summerville. “Maroku ka fituar respektin e të gjithëve tani”, ka thënë Ouahbi. “Nuk ka të bëjë me atë që kemi thënë. Por me atë që kemi shfaqur”.

Ai kishte udhëhequr Marokun U20 drejt titullit të botës dhe u gradua në selektor të përfaqësueses A jo shumë kohë më parë. Sipas tij, lojtarët janë motivuar nga diçka që është më e madhe se futbolli. “Ky ekip dhe të gjitha ekipet e moshave të Marokut luftojnë për shumë më tepër se vetëm për ta fituar një ndeshje. Ata e dinë që prapa i kanë miliona njerëz.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kemi luajtur kur ishte dy në mëngjes në Marok dhe jemi të bindur se shumica e njerëzve ishin zgjuar. Kjo të jep energji që të mos dorëzohesh, të vazhdosh para dhe të besosh në vete”, ka shtuar selektori maroken. Ouahbi ka theksuar se Maroku ka dominuar ndeshjen, ndonëse vetëm me penallti avancoi. “Ne kemi dominuar plotësisht ekipin e Holandës.

Kemi pasur posedim prej 70 për qind, më shumë gjuajtje dhe kemi kontrolluar lojën. Ne kemi dashur të qëndrojmë të qetë, të luajmë lojën tonë dhe kemi besuar se nëse shkojmë në penallti kemi një portier të jashtëzakonshëm. Nuk e kemi fituar ndeshjen në një betejë kaotike. E kemi dominuar atë”. Holanda luajti kryesisht në mbrojtje dhe kjo ka befasuar marokenët.

Dhe po ashtu ka dëshmuar nivelin që e ka përfaqësuesja afrikane. “Vërtetë nuk kam pritur një bllok të tillë defanziv pasi Holanda ka dëshirë ta ketë topin dhe është shumë e fortë kur e bënë këtë. E shoh këtë formë të lojës si shenjë të respektit”, ka thënë Ouahbi. Maroku arriti në gjysmëfinale në Botërorin e kaluar. Dhe tashmë ka mentalitet fitues.

“Në vitet e fundit lojtarët marokenë besojnë në nivelin që kanë dhe tifozët kanë besim tek ne po ashtu. Askush nuk mund të na ndalë nëse e luajmë futbollin që dimë. Por askush nuk është i pamposhtur. Nëse në ndeshjen e ardhshme nuk luajmë mirë, do të kthehemi në shtëpi”, ka theksuar selektori maroken.

Burimi: Koha