Në korrik të vitit 1983, filmi Përplasja e besnikërive u shfaq për herë të parë – dhe mbase të fundit. Në vitin 2020, producenti i tij foli për BBC-në mbi mobilizimet ushtarake, marrjet në pyetje dhe për Oliver Reedin e dehur.
Nga: Fiona Macdonald / BBC (titulli: ‘Real missiles and bombs were going off’: How Saddam Hussein made an epic Hollywood-style film in Iraq ) Përkthimi: Telegrafi.com Kërcënimi më i madh për filmin epik të Saddam Husseinit në stilin e Holivudit, Përplasja e besnikërive , nuk ishte shpërthimi i luftës mes Iranit dhe Irakut në vitin 1980 – vetëm pak javë pasi xhirimet kishin nisur në shkretëtirën pranë Bagdadit.
Nuk ishte as thirrja e vazhdueshme e aktorëve dhe stafit për të shkuar në luftë, duke u zhdukur nga sheshi i xhirimit pa asnjë njoftim. Nuk ishte as sfida e transportimit të armëve të përdorura si rekuizita të Luftës së Parë Botërore përmes kufirit të Turqisë, ku rojet doganore ndaluan kamionët e filmit duke besuar se po importonin një arsenal të vërtetë për të ndihmuar trupat irakiane.
Në vend të kësaj, projekti rrezikoi të dështonte më së shumti nga një incident në gjendje të dehur, në restorantin e një hoteli, ku ylli i filmit, Oliver Reed, urinoi në një shishe boshe vere.
“ Ai i kërkoi kamerierit t’ia dërgonte atë tavolinës tjetër dhe i tha: ‘Me komplimentet e mia’,” tregoi për emisionin Witness History të BBC-së në vitin 2020, producenti britanik me origjinë irakiane, Lateif Jorephani. “ Autoritetet mbetën absolutisht pa fjalë …
Mora telekse nga ministrat në Irak që më thoshin: ‘Hiqe këtë tip, nuk e duam më këtu.’ Po si mundesha unë, si producent i një filmi miliona paundësh, të hiqja aktorin kryesor në mes të produksionit?” Jorephani arriti t’i bindte autoritetet që ta mbanin Reedin, në vend që të xhironin gjithë filmin nga e para – por, ishte një situatë mjaft e rrezikshme.
“M’u desh të luftoja me mish e me shpirt,” kujton ai. Ky incident ishte vetëm një nga çastet e tensionuara në një prodhim që zgjati tre vjet dhe kushtoi 30 milionë dollarë – rreth 100 milionë dollarë ose 76 milionë paundë sot [88 milionë euro], afërsisht me të njëjtin buxhet si filmi bashkëkohës i tij, Return of the Jedi .
Dhe, kur u përfundua më në fund, Përplasja e besnikërive u shfaq vetëm disa herë – duke fituar një çmim pas premierës në Festivalin e Filmit në Moskë, në korrik të vitit 1983 – përpara se të përfundonte i mbyllur në garazhin e Jorephanit në Surej të Anglisë. Fundi i tij i lavdishëm ishte shumë larg ambicieve të Husseinit.
Fill pas ardhjes në pushtet të diktatorit irakian në korrik të vitit 1979, ai shpalosi një vizion për të krijuar një industri irakiane filmi që mund të prodhonte hite të mëdha patriotike për publikun perëndimor. “Husseini ishte shumë entuziast për ta inkurajuar Irakun që të bëhej një qendër e produksioneve ndërkombëtare të filmit,” tha Jorephani për BBC-në.
“Ndoshta ai mendonte se një ditë Bagdadi mund të bëhej një Bolivud mbi Tigrin.” Husseini parashikonte një sërë projektesh që do të përmirësonin imazhin e Irakut në shkallë globale. Për të filluar, donte të bënte një film të përmasave të Holivudit që lidhte partinë e tij Ba’ath me revolucionarët irakianë që përmbysën sundimin britanik në vitin 1920.
Përplasja e besnikërive , ose Al-mas’ala Al-Kubra ( Pyetja e madhe ), tregonte historinë e formimit të Irakut nga Mesopotamia dhe u përshkrua nga një prej aktorëve si “versioni i Saddamit për Lorencin e Arabisë.” “Është i bazuar mbi një ngjarje të vërtetë të vitit 1920,” tha Jorephani.
Gjatë një lëvizjeje nacionaliste për të çliruar Irakun nga pushtimi kolonial, nënkoloneli britanik Gerald Leachman u vra nga një rebel pranë qytetit të Falluxhas. Përplasja e besnikërive do të ishte rrëfimi epik i Saddamit për lindjen e një kombi.
Jorephani kishte punuar në industrinë e filmit që nga vitet ’50 të shekullit XX, duke bërë disa filma me buxhet të ulët në Lindjen e Mesme, dhe u kontaktua për këtë projekt nga njohjet e tij në qeverinë e Husseinit. Me një Irak të fuqizuar nga vërshimi i parave prej rritjes së vrullshme të çmimeve të naftës në vitet ’70 të shekullit XX, financimi nuk përbënte problem.
“Miqtë tanë në Bagdad shkuan te shefi i madh dhe i kanë thënë: ‘Për t’u futur në biznesin ndërkombëtar të filmit, duhet të flasim për shuma të mëdha parash.’. Ai u tha: ‘Çfarëdo që të duhet’.” Me një buxhet gjigant, Përplasja e besnikërive kishte sheshe xhirimi të stilit të Holivudit, efekte speciale dhe qindra anëtarë të kastit dhe stafit teknik, të gjithë të transportuar në Bagdad.
Dhe, pikërisht atëherë, Husseini pushtoi Iranin. “Kisha 140 njerëz atje në Irak gjatë luftës,” kujton Jorephani në dokumentarin e vitit 2016, Sadami shkon në Holivud [ Saddam Goes to Hollywood ]. “Këta njerëz ishin mësuar të bënin filma në Sheperton, Pajnvud, Holivud – jo të ndodheshin në mes të asgjësë, ndërsa raketat dhe bombat e vërteta shpërthenin kudo.” Pushtimi solli disa probleme.
“Na u desh të ndërprisnim prodhimin, por urdhri erdhi nga lart se duhet të jepni përshtypjen se jeta po vazhdon normalisht,” tha Jorephani për emisionin Outlook të BBC-së në vitin 2016. “Për aq sa i përkiste udhëheqjes irakiane, ‘Çdo gjë është në rregull, kjo do të përfundojë pas pak javësh, vazhdoni djem dhe gjithçka do të shkojë mirë’.” Xhirimet rifilluan pas dy javësh.
Pavarësisht dëshirës së autoriteteve për t’u shtirur sikur nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, shenjat ishin aty, sipas trupës. Njëri prej aktorëve kujtonte udhëtimin me aeroplan drejt Irakut së bashku me Reedin dhe anëtarë të tjerë të kastit, kur vuri re se një aeroplan gjuajtës po shoqëronte aeroplanin e tyre sapo hynë në hapësirën ajrore irakiane.
Ata u ulën pa drita për të shmangur sulmin me raketa. Skenat duhej të rixhiroheshin meqë aktorët vendas thirreshin papritur në ushtri, ndërsa pati probleme logjistike me dërgimin e rekuizitave nga Britania e Madhe përmes kufirit turk.
Sipas Jorephanit: “Turqit dhanë: ‘Prit pak mik, ne jemi neutralë në këtë luftë, nuk mund t’i kalosh këto gjëra këtu’.” Ai u përpoq të shpjegonte: “Shikoni, këto janë rekuizita filmi të Luftës së Parë Botërore, nuk mund të qëllohet me to, kjo është një armë për të bërë film.” Por, pa asnjë rezultat.
Në vend të kësaj, kujton Jorephani, atyre iu desh t’i dërgonin kamionët “përmes Greqisë, me anije, përgjatë Libanit, përmes Sirisë – e cila atëherë ishte më miqësore me iranianët sesa me irakianët – dhe përmes shkretëtirës për në Bagdad. Atëherë isha vërtet i dëshpëruar.” Por, episodi më i bujshëm gjatë prodhimit përfshinte një sekuencë me një tren që duhej të shpërthente.
“Duhej të ishte një tren ushtarak me municione … i sulmuar nga rebelët irakianë,” tha Jorephani. Megjithëse po xhironin kryesisht në vende larg luftimeve të vërteta, e vetmja linjë hekurudhore e braktisur – që mund të gjenin – ndodhej afër kufirit iranian.
“Një ditë pas xhirimeve, mediat iraniane pretenduan se Garda Revolucionare kishte sulmuar brenda Irakut dhe kishte shkatërruar një tren ushtarak, duke vrarë shumë ushtarë irakianë.” Ngjarjet ishin pothuajse po aq dramatike edhe mes aktorëve. Përtej incidentit me shishen e verës, të bëmat e Reedit përfshinin garat me duar, shkelmime dyersh dhe sherre.
Kolegu i tij në kast, Marc Sinden, i biri i aktorit Donald Sinden, tha në një intervistë për Esquire në vitin 2014 se herën e parë që e kishte parë Reedin, atë po e varnin nga kyçet e këmbëve jashtë dritares së katit të pestë të hotelit “Al-Mansour Melia” në Bagdad, pasi kishte mërzitur shoqëruesin e tij, një ish-ushtar francez i forcave speciale. Reedi, siç duket, bërtiste duke qeshur.
“Asnjëherë nuk e morëm vesh se çfarë tha Oli,” kujton Sindeni. Një tjetër aktore në film, Virginia Denham, tha: “Oliver Reedi ishte një armë e shkatërrimit në masë.” Sindeni pati një përvojë të paharrueshme të një lloji tjetër gjatë xhirimeve të Përplasjes së besnikërive .
Ai tha në intervistën e vitit 2014 se para se të fluturonte për në Irak, ishte rekrutuar për të bërë fotografi të Bagdadit për një agjenci të fshehtë e të dyshimtë britanike. “Më vizituan dy zotërinj me kostume. Ata pretenduan se ishin nga Ministria e Jashtme … Më pyetën nëse po shkoja në Irak dhe unë i thashë po. Nuk ishte nevoja t’ua tregoja datën.
Ata e dinin që më parë se kur do të nisesha.” Sindenit iu tha se shërbimet e sigurisë do të ishin të interesuara të shihnin fotot e tij të pushimeve – çdo gjë që dukej se mund të kishte vlerë ushtarake, si antena komunikimi, ndërtesa qeveritare ose pallate.
Fatkeqësisht, tha Sindeni, këto foto e çuan atë në një qendër të marrjes në pyetje në Irak, pasi policia sekrete e Husseinit e kishte ndjekur. Fill pas mbërritjes së tij, ai u mor në pyetje – por, arriti të shpëtonte duke i thënë hetuesit të tij: “Unë jam këtu me urdhër të udhëheqësit tuaj të lavdishëm, Saddam Hussein. Ai po e financon filmin që po e bëj.
Shikoni, unë hëngra darkë me të një javë më parë.” Ata e liruan menjëherë dhe Sindeni fluturoi jashtë Irakut të nesërmen, i veshur me kostumin e tij të një uniforme ushtarake të viteve 1920, bashkë me helmetën tropikale dhe pistoletën. Jorephani e montoi Përplasjen e besnikërive pasi u kthye në Londër, por pas disa shfaqjeve në festivale, ai u la mënjanë.
Pas pushtimit të Kuvajtit nga Husseini në vitin 1990, OKB-ja vendosi sanksione ndërkombëtare ndaj Irakut – të cilat zgjatën deri në rënien e Husseinit nga pushteti në vitin 2003, dhe filmi nuk u shfaq kurrë më. Vizioni i madh i diktatorit për një sërë prodhimesh të mëdha ndërkombëtare të bëra në Irak, u reduktua në një film të vetëm që u pa nga vetëm disa qindra njerëz.
“Nëse gjërat do të kishin shkuar ashtu siç shpresonin irakianët, ne do të ishim në filmin tonë të gjashtë ose të shtatë të këtij lloji,” tha Jorephani për Nick Eriksonin e BBC-së në vitin 2016. Ai ishte i zhgënjyer që nuk arriti të bënte kurrë një film tjetër me irakianët, megjithëse tha për BBC-në në vitin 2020: “Pas rreth 30 vjetësh me luftë, bomba, shkatërrim, vrasje dhe sektarizëm …
Çfarë është bërja e një filmi? Nuk është asgjë në të vërtetë krahasuar me këto.”
