Ankesa e Listës Serbe

0%

Ka kaluar koha e dirigjimeve serbe në Kosovë. Vota ime është imja dhe unë ia jap kujt të dua. Ajo është e fshehtë; nuk dihet kush kujt po ia jep votën, por ajo jepet. Mos po kërkon Lista Serbe t’ia japim votën tonë asaj? Jooo, mos e mendo!

Pranoje Republikën e Kosovës, mos e lufto Republikën e Kosovës, vepro sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, e vetëm atëherë edhe ti do të jesh i barabartë me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Për mua, janë dhe do të jenë të barabartë të gjithë qytetarët e Kosovës që e pranojnë pavarësinë e Kosovës, që e mbrojnë atë dhe që luftojnë për të drejtat e të gjithëve.

Prandaj, të mos çuditet fare Lista Serbe pse dikush paska votuar për serbët e tjerë në ato vendvotime ku nuk ka serbë. Kjo është e drejtë e secilit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Madje, pas ankesës së Listës Serbe, mirë na u përkujtua se, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për ta nxjerrë nga loja këtë parti, do të votohet masivisht nga shqiptarët për ata që mbështesin Republikën e Kosovës e jo ata që mbështesin Serbinë. Në këtë drejtim, edhe serbët le të votojnë cilëndo parti shqiptare; nuk ka asnjë problem.

Le të votojnë partinë shqiptare që atyre ua merr mendja se punon për ta. Ndërkaq, vetë ankesa e tyre më duket qesharake! Nga ana tjetër, në zgjedhjet e ardhshme, ne do t’i votojmë serbët lojalë ndaj Republikës së Kosovës.

Të paktën, unë e shoh të arsyeshme që serbët lojalë të Kosovës të votohen nga të gjithë shqiptarët e dëbuar me dhunë nga veriu i Kosovës në vitin 2000, nga bandat dhe kriminelët serbë të “Rojës së Urës”, me mbështetjen e KFOR-it të atëhershëm, të cilët kurrë më nuk u lejuan të kthehen në shtëpitë e tyre.

Përse kjo parti nuk ankohej kur, ndonëse serbët përbëjnë rreth 3% të popullsisë së Kosovës, u janë garantuar 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës? Nëse duan drejtësi, duhet ta kërkojnë dhe ta zbatojnë drejtësinë në mënyrë të barabartë.

Është dashur të ankoheshin atëherë, por edhe tani nuk është vonë që të kërkojnë një trajtim më të drejtë e më të barabartë, para se të kërkojnë të drejtën tjetër përmes ankesës.

Burimi: Bota Sot