Shtatmesëm, flokëgështenjë, sy ulliri, qëndrim burri. Kur thoshte “po”, fjalën e tij mund ta thyente vetëm vdekja. Po t’i shtroje bukë e kripë, ishte mirënjohës. Atë që e konsideronte shok e mik, dhe që luftonte pa hile për Atdhe, jepte kokën për të. Ata që heshtnin edhe kur vendi ishte në robëri, haptas i mallkonte. E kishte pasion artin.
Portretizonte Gjergj Kastriotin, Norën e Hotit, Idriz Seferin e Mic Sokolin. Kur dikush e pyeste pse vetëm ata, përgjigjej: “Po të mos ishin ata, nuk do të ishim ne.” Për këngën, thirrje lirie, dhe përpjekjet për ribërjen e Shqipërisë, e burgosën dhe e dënuan — por kurrë nuk e thyen, as nuk e nënshtruan. Iu gëzua çlirimit të Kosovës më tepër se lindjes së katër fëmijëve të tij.
Iku më me amanetin: Ruajeni si sytë vendin dhe njëri-tjetrin. I gjithë Llapi e njohu si burrin që ndërtonte ura dhe bashkonte njerëz, rrënonte mure dhe shuante hasmëritë. Kushdo që kalon pranë varrit të tij, lotët e tradhtojnë. Vërtet ishte burrë, shpirtbardhë dhe engjëllor.
