Raporti vjetor i BQK-së për vitin 2025 dorëzohet në Kuvendin e Kosovës

0%

Guvernatori i Bankës Qendrore (BQK), Ahmet Ismaili, i dorëzoi kryetares së Kuvendit të Kosovës, njëherësh U.D. Presidentes, Albulena Haxhiu, raportin vjetor të BQK-së për vitin 2025. Sipas BQK-së, dorëzimi i raportit vjetor në Kuvend është bërë në përputhje me Ligjin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Ismaili e njoftoi Haxhiun për përmbajtjen kryesore të raportit, duke thënë se ai pasqyron aktivitetet, zhvillimet dhe rezultatet e BQK-së, në përmbushje të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor për ruajtjen e stabilitetit financiar, forcimin e integritetit të sistemit financiar, mbrojtjen e interesit publik dhe sigurimin e qëndrueshmërisë institucionale.

Sipas BQK-së, raporti thotë se ekonomia dhe sistemi financiar i Kosovës mbetën të qëndrueshëm në vitin 2025, me sektor bankar të fortë dhe likuiditet të lartë. “Raporti konfirmon se ekonomia e Kosovës dhe sistemi financiar kanë ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë gjatë vitit 2025, pavarësisht sfidave nga mjedisi i jashtëm ekonomik dhe gjeopolitik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sistemi financiar vazhdoi zgjerimin e qëndrueshëm, sektori bankar mbeti mirë i kapitalizuar dhe me likuiditet të lartë, ndërsa cilësia e portofolit kreditor u ruajt në nivel të mirë.”-thuhet në komunikatë .

Kryetarja Haxhiu thuhet se u informua gjithashtu për reformat dhe iniciativat kryesore të realizuara gjatë vitit 2025, përfshirë avancimin e kornizës makroprudenciale dhe mbikëqyrëse, harmonizimin e kornizës rregullative me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian, zhvillimin e mëtejmë të sistemit të pagesave, përgatitjet për integrimin në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) si një proces me përfshirje ndër-institucionale, avancimin e projektit për pagesa të menjëhershme përmes TIPS Clone, si dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e konsumatorëve, edukimin financiar dhe gjithëpërfshirjen financiare.

Raporti thekson avancimin e BQK-së në inovacionin financiar, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare gjatë vitit 2025 “Në kuadër të Raportit u prezantuan edhe zhvillimet në fushën e inovacionit financiar, integritetit të valutës euro, menaxhimit të parasë së gatshme dhe formalizimit të ekonomisë, si dhe aktivitetet e BQK-së në planin ndërkombëtar.

Gjatë vitit 2025, BQK forcoi pjesëmarrjen në forume rajonale dhe ndërkombëtare, zgjeroi bashkëpunimin përmes asistencave të ndryshme teknike dhe avancoi menaxhimin e rezervave ndërkombëtare, në mbështetje të reformave dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare.”-tregon BQK .

Sipas BQK-së, raporti vjetor përfshin edhe pasqyrat financiare të audituara të BQK-së për vitin 2025, të cilat kanë marrë opinion të pamodifikuar nga auditori i jashtëm.

BQK realizoi rezultat financiar pozitiv prej 24 milionë euro, i cili, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi, ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet Buxhetit të Republikës së Kosovës dhe rezervave të BQK-së, duke kontribuar në financat publike dhe në qëndrueshmërinë financiare afatgjatë të institucionit. Aktualisht Kuvendi nuk është funksional.

Konstituimi i Legjislaturës XI pritet të bëhet pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.

Burimi: Kallxo