Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim profesorin amerikan Daniel Serwer, të cilin e ka cilësuar si mik të madh të Kosovës. Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar për situatën e brendshme politike, përgatitjet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe zhvillimet gjeopolitike dhe ndikimin e tyre në sigurinë e vendit.
Kurti tha se Serwer ka qenë gjithmonë një zë mbështetës për Kosovën dhe se nuk ka hezituar të flasë për kërcënimet që, sipas tij, Serbia paraqet për sigurinë rajonale. Postimi i Kurtit: Sot pata nderin të pres në Zyrën e Kryeministrit profesorin amerikan dhe mikun e madh të Kosovës, Daniel Serwer, për një takim të përzemërt dhe frymëzues.
Gjithmonë është kënaqësi të takohem me profesorin Serwer, i cili sot u bë mysafiri i parë amerikan të cilit ia urova përvjetorin e 250-të të pavarësisë së ShBA-ve.
Me profesorin biseduam për një gamë të gjerë temash të rëndësishme, duke përfshirë situatën e brendshme politike, hapat që Kosova po ndërmerr në përgatitje për anëtarësim në BE dhe NATO, si dhe zhvillime gjeopolitike dhe implikimet për sigurinë e vendit tonë.
Kosova është me fat që e ka një mik si Daniel Serwer, i cili kurrë nuk ka hezituar të flasë të vërtetën për popullin tonë dhe kërcënimet që paraqet Serbia ndaj sigurisë rajonale
