Ish-futbollisti i njohur senegalez, El Hadji Diouf, ka kërkuar nga kombëtarja e Senegalit që të jetë plotësisht e përgatitur në aspektin fizik dhe mendor para përballjes me Belgjikën në fazën e 1/16 së finales së Kupës së Botës 2026. Senegali, i udhëhequr nga trajneri Pape Thiaw, siguroi kalimin në fazën me eliminim direkt pas fitores së madhe 5-0 ndaj Irakut.
“Luanët e Terangës” e mbyllën grupin në vendin e tretë, pas Norvegjisë dhe Francës. Në raundin tjetër, Senegali do të përballet me Belgjikën, një skuadër që gjithashtu regjistroi vetëm një fitore në fazën e grupeve. Belgjika mposhti Zelandën e Re me rezultat 5-1, ndërsa barazoi me Iranin dhe Egjiptin. Diouf ka paralajmëruar se ndeshja do të jetë shumë e vështirë.
“Tani fillon pjesa më e rëndësishme. Humb dhe shkon në shtëpi. Belgjika ka lojtarë të jashtëzakonshëm, por edhe ne kemi futbollistë të nivelit botëror. Duhet të jemi gati fizikisht dhe mentalisht ”, ka thënë ai. Senegali synon të përsërisë sukseset e mëparshme në Botëror. Rezultati më i mirë i tyre mbetet viti 2002, kur arritën deri në çerekfinale.
Në prag të ndeshjes, Senegali ka edhe një shqetësim, pasi portieri i parë Edouard Mendy është kthyer në Arabinë Saudite për kontrolle mjekësore pas një lëndimi në gju dhe mund të mungojë ndaj Belgjikës.
