Shpërndaje në: Historiani serb Milivoj Beshlin ka thënë se pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë vazhdoi një klimë mosbesimi dhe represioni ndaj shqiptarëve, ndërsa shpërngulja e popullsisë drejt Turqisë, sipas tij, u nxit nga politikat e autoriteteve jugosllave.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Beshlin u shpreh se, pavarësisht zhvillimeve në arsim dhe përdorimin e gjuhës shqipe, në 15 vitet e para të Jugosllavisë së re ekzistonte një mosbesim i madh ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Ka disa zhvillime thelbësore si përdorimi i gjuhës, shtypi, shkrim-leximi dhe shkollat në gjuhën shqipe, por në thelb ende ekziston një mosbesim i madh ndaj Kosovës dhe popullsisë shumicë shqiptare”, ka thënë ai. Sipas Beshlinit, kulmi i kësaj politike u shënua me Procesin e Prizrenit dhe aksionin e mbledhjes së armëve në vitet 1954-1955.
Ai deklaroi se represioni nuk preku vetëm popullsinë, por edhe udhëheqësit shqiptarë të Luftës Nacionalçlirimtare. Në këtë kontekst, Surroi përmendi se Procesi i Prizrenit synonte edhe figura të rëndësishme politike, përfshirë Fadil Hoxhën.
Historiani serb vlerësoi se rreth 240 mijë persona u shpërngulën drejt Turqisë gjatë kësaj periudhe, numër që sipas tij ishte dukshëm më i madh sesa shpërnguljet e periudhës së Mbretërisë së Jugosllavisë.
“S’ishte spastrim etnik klasik, siç do ta parafytyronim sot, por ishte një nxitje e shpërnguljes”, u shpreh Beshlin, duke shtuar se në disa dokumente të kohës autoritetet jugosllave shtronin pyetjen nëse masat e ndërmarra po e inkurajonin tepër emigrimin dhe nëse ato mund të konsideroheshin diskriminuese.
