Fundi i muajit qershor ka sjellë një valë të fortë të nxehti që ka përfshirë pothuajse të gjithë Evropën dhe Ballkanin. Temperaturat e larta tropikale kanë vështirësuar jetën e përditshme, ndërsa në disa vende evropiane kanë shkaktuar edhe humbje jetësh. Për t’i shpëtuar vapës përvëluese, mijëra qytetarë kanë zgjedhur bregdetin, pishinat apo zonat malore për t’u freskuar.
Edhe qyteti bregdetar i Ulqinit ishte i mbushur me pushues nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe vende të ndryshme të Evropës Perëndimore. Plazhet ishin të stërmbushura dhe deti dukej i qetë, por pikërisht kjo qetësi mund të krijojë një ndjenjë të rreme sigurie. Një ngjarje që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi ndodhi sot në Plazhin e Madh të Ulqinit.
Një pushues 62-vjeçar nga Shkupi, me kombësi shqiptare, kishte hyrë në det për t’u freskuar. Pas pak çastesh ai u gjend në vështirësi dhe nuk arriti më të kthehej drejt bregut. Rreth 40 metra larg bregut u dëgjua një thirrje dëshpëruese: “Ndihmë… mbarova!” Pa humbur asnjë sekondë, një grup të rinjsh që ndodheshin në plazh u hodhën në det për ta ndihmuar, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.
Në ato momente pranë kaloi edhe një skaf me dy të rinj, të cilët iu afruan menjëherë personit që kërkonte ndihmë. Falë reagimit të shpejtë dhe bashkëpunimit të tyre, burri u nxor shëndoshë e mirë në breg.
Pasi mori frymë dhe u qetësua, iu afrova për ta përshëndetur dhe i thashë: “Lum për ne e për ty që shpëtove, o burrë!” Ai, ende i tronditur nga ajo që kishte përjetuar, u përgjigj: “Më shpëtuan njerëzit e mirë, sepse unë e pashë vdekjen me sy.” Më pas shtoi me emocione: “Duhet të krenohemi me këtë rini që kemi. Ata sakrifikuan për të më shpëtuar jetën. Unë nuk di not.
Hyra në det për t’u freskuar, por mbeta pa mundur të kthehesha në breg. Të them të drejtën, kam gëlltitur shumë ujë, por falë Zotit dhe këtyre njerëzve të mirë sot jam gjallë.” Në fund të bisedës i urova shëndet dhe jetë të gjatë, ndërsa të rinjve që ndërhynë pa hezitim u shpreha mirënjohjen dhe respektin më të madh për veprën e tyre fisnike e humanitare.
Ky rast është një apel për të gjithë pushuesit që të mos e nënvlerësojnë kurrë detin. Edhe kur ai duket i qetë, mund të fshehë rreziqe të papritura. Kujdesi, respektimi i rregullave të sigurisë dhe ndërgjegjësimi janë mënyra më e mirë për të shmangur tragjeditë.
Ndërsa guximi dhe humanizmi i këtyre të rinjve mbeten një shembull frymëzues se solidariteti dhe dashuria për jetën e tjetrit janë vlera që meritojnë çdo vlerësim
