Dy pronarë të një dyqani elektroshtëpiakesh në zonën e ish-Doganës, në Tiranë, kanë përfunduar në pranga pas një konflikti me një kliente, e cila dyshohet se u mbajt kundër vullnetit të saj dhe u dhunua fizikisht. Sipas Policisë, të arrestuarit janë Sefedin Ahmetaj, 63 vjeç, dhe Edjola Harunaj, 41 vjeçe.
Bëhet me dije se, pas një debati për motive të dobëta, kanë kanosur klienten, i kanë hequr lirinë duke e mbajtur në ambientet e dyqanit kundër dëshirës së saj dhe më pas kanë ushtruar dhunë fizike. Situata u përshkallëzua edhe më tej gjatë ndërhyrjes së efektivëve të Policisë.
Sipas autoriteteve, dy të arrestuarit kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, ndërsa 41-vjeçarja dyshohet se ka goditur një efektiv gjatë kryerjes së detyrës, duke i shkaktuar dëmtime të lehta. Pas arrestimit në flagrancë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për vijimin e veprimeve hetimore.
“Kanosën, privuan lirinë e një klienteje dhe kundërshtuan e goditën punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së detyrës, vihen në pranga 2 shtetas, pronarë të një dyqani.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë shtetasit Sefedin Ahmetaj, 63 vjeç, dhe Edjola Harunaj, 41 vjeçe, pasi dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me një kliente në një dyqan elektroshtëpiakesh në zonën e Ish-Doganës, e kanë kanosur, i kanë hequr lirinë duke e mbajtur kundër vullnetit të saj në ambientet e subjektit dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, këta shtetas kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, ndërsa shtetasja E. H. dyshohet se ka goditur për shkak të detyrës një punonjës policie, duke i shkaktuar dëmtime të lehta. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.
