Armëpushimi sjell qetësi, por iranianët kërkojnë ndryshim

0%

Jeta në Teheran duhet se gradualisht po i kthehet normalitetit të kohës së paqes, teksa një armëpushim është në fuqi dhe po vazhdojnë negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Kafenetë, që u mbyllën gjatë sulmeve ajrore, janë rihapur. Rrugët që dikur ishin bosh, sërish janë të mbushura me trafik dhe këmbësorë.

Dyqanet qëndrojnë të hapura deri vonë dhe familjet u janë rikthyer ecjeve gjatë mbrëmjeve. Shumica e iranianëve thonë se janë të lehtësuar që bombardimet janë ndalur dhe që përditshmëria më nuk pengohet nga frika e shpërthimeve. Por, nën këtë qetësi sipërfaqësore, te disa vazhdon të ndihet një zemërim i thellë dhe zhgënjim.

Sipas disa iranianëve që folën për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, përfundimi i luftimeve ka sjellë paqe, por jo ndryshimin që shumë kishin shpresuar. Të gjithë të intervistuarit kërkuan që të përdoreshin vetëm emrat e tyre, jo edhe mbiemrat, nga frika e hakmarrjes nga autoritetet.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Maryam, kuzhiniere që jeton në një nga rrokaqiejt e Teheranit, kujton se si dëgjoi “njerëzit duke u festuar dhe kërcyer” jashtë banesës së saj kur televizioni shtetëror njoftoi se lideri suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, ishte vrarë gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit.

Maryam tha se ajo dhe të tjerët janë përballur me uri, sulme ajrore dhe vdekje të civilëve, teksa kanë besuar se regjimi do të kolapsonte. “Gjatë luftës ne të gjithë qëndruam në shtëpi, pa para, pa punë dhe të mbushur me shpresë. Ne menduam se nuk kemi punë, por kjo do të ndryshojë, nuk kemi para, por do të fitojmë lirinë”, tha Maryam.

“Edhe kur dritaret tona ishin të mbyllura… dhe shtëpitë tona u shkatërruan, edhe këtë e përballuam, duke i thënë vetes se së shpejti do ta festonim largimin e regjimit dhe më pas do ta rindërtonim vendin tonë së bashku”. Maryam tha se njerëzit besonin se “të bëhesh i lirë ka një çmim” dhe se ata po paguanin “çmimin e lirisë”.

Por, ajo tha se disa njerëz tani ndihen të tradhtuar dhe të rraskapitur, teksa Uashingtoni po rikthehet në bisedime me Teheranin dhe Republika Islamike vazhdon të mbetet fuqishëm në pushtet – një ndjenjë që u shpreh edhe nga disa iranianë të tjerë që folën për Radio Farda.

Gjatë konfliktit, presidenti amerikan, Donald Trump, fillimisht tha se dëshironte ta rrëzonte udhëheqjen e Iranit dhe të mbështeste popullin iranian. Por, rifillimi i negociatave ka bërë që disa iranianë të ndihen të braktisur.

Në provincën veriperëndimore të Gilanit, Haleh, nënë e një fëmije, tha se ajo dhe miqtë e saj besonin se vdekja e Ali Khameneit më 28 shkurt, ditën e parë të konfliktit, do të shënonte fillimin e fundit të establishmentit iranian dhe se një ndryshim politik ishte i pashmangshëm.

Në vend të kësaj, ajo tha se iranianët u përballën me shtëpi dhe biznese të shkatërruara, varfëri dhe inflacion edhe më të lartë, si dhe me një regjim të forcuar. Haleh, e cila jeton me djalin e saj, tha se mban dy vende pune, por sërish e ka të vështirë të sigurojë para për ushqim për familjen e saj, pasi çmimet janë rritur ndjeshëm muajt e fundit.

Sipas Bankës Qendrore të Iranit, inflacioni arriti në 77.2 për qind në muajin maj. “Ka ditë kur nuk kam mundësi të blej as qumësht”, tha Haleh. Por, ajo shtoi se dhe shumë iranianë të tjerë “nuk e kanë humbur shpresën” dhe do të vazhdojnë të përpiqen për një “të ardhme më të mirë”.

“Populli i Iranit e ka dëshmuar shumë herë se ka qëndrueshmërinë për t’i përballuar vështirësitë, me shpresën se regjimi islamik do të kolapsojë” , tha Haleh. Shijimi i ditëve të qeta Në kryeqytetin iranian, Tehran, Ava tha se po i shijon ditët e qeta që ka sjellë armëpushimi dhe shpreson se ato do të çojnë drejt një paqeje afatgjatë.

Ajo kujtoi se shihte shtëllunga tymi që ngriheshin në qiell në lagjen e saj, teksa shtëpitë goditeshin nga sulmet ajrore dhe njerëzit vriteshin. “Ende nuk e kemi marrë veten plotësisht nga tronditja e luftës për t’i vajtuar siç duhet humbjet tona”, tha Ava . “Shpresoj që vendi im të mos i përjetojë më kurrë këto tragjedi. Shpresoj që tani e tutje të jetojmë në paqe”.

Por, disa nga personat që folën me REL-in përshkruan një dallim gjithnjë e më të madh mes pamjes së jashtme të normalitetit dhe dëshpërimit që njerëzit ndiejnë në jetën e tyre. Nader, banor i Teheranit, tha se megjithëse jeta e përditshme duket se vazhdon normalisht, shumë njerëz brenda vetes ndihen të mposhtur.

Nader tha se iranianët nuk e kanë harruar se si mijëra njerëz u vranë dhe dhjetëra mijëra të tjerë u arrestuan gjatë shtypjes së ashpër nga autoritetet ndaj protestave mbarëkombëtare kundër Qeverisë të zhvilluara në janar. Sipas Naderit, shumë iranianë nuk do ta pranojnë që sakrificat e tyre nuk kanë sollën asnjë ndryshim.

“Njerëzit po presin të shohin se çfarë do të bëjë më pas Amerika… nëse Amerika do ta sulmojë sërish Iranin”, tha ai . “Në një moment, me miliona njerëz do të dalin sërish në rrugë. Nuk ka asnjë mundësi që njerëzit ta pranojnë përsëri këtë regjim”. Historikisht, Republika Islamike i ka shfrytëzuar periudhat e uljes së tensioneve për ta konsoliduar pushtetin brenda vendit.

Disa iranianë thanë se tashmë po shohin shenja të kontrollit më të rreptë, arrestimeve dhe frikësimeve, edhe pse zyrtarët flasin për diplomaci në arenën ndërkombëtare. Në provincën jugperëndimore të Kuzestanit, Vahid e përshkroi regjimin si “një gjarpër që po e ha bishtin e vet”. Edhe pse tha se e mirëpret armëpushimin, Vahid theksoi se ende ka pasiguri për atë që do të ndodhë më pas.

“Jam optimist, por nuk mund të them se nuk kam shqetësime për të ardhmen, si për veten time, ashtu edhe për vendin tim”, tha ai.

Burimi: Bota Sot