Pas zgjedhjeve parlamentare, negociatat për formimin e institucioneve po shoqërohen me kushte dhe kërkesa politike nga partitë kryesore.
Së fundmi, Lidhja Demokratike e Kosovës ka sinjalizuar se është e gatshme t’i vërë në dispozicion 18 votat e deputetëve të saj për një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, por me një kusht të qartë: posti i presidentit t’i takojë LDK-së dhe kandidati të jetë nga radhët e partisë.
Kjo ka hapur debat nëse ky qëndrim përbën një ndryshim nga deklaratat e mëhershme të LDK-së, e cila kishte insistuar në zgjedhjen e një presidenti jopartiak. A kemi të bëjmë me një përshtatje ndaj rrethanave të reja politike, apo me një largim nga parimet e shpallura vetëm pak muaj më parë?
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli Gazmend Halilaj, i cili u shpreh se kërkesa e LDK-së ngre një çështje serioze për konsistencë politike, pasi vetëm muaj më parë insistonin në president jopartiak. Sipas tij, deklarata e nënkrytarit Haziri tregon qartë për një ndryshim politik të LDK-së.
“Kërkesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës që posti i Presidentit t’i takojë kësaj partie si kusht për dhënien e votave për konstituimin e institucioneve ngre çështje serioze të konsistencës politike dhe të përgjegjësisë publike.
Duke analizuar deklaratat e mëhershme të zyrtarëve të LDK-së, vërehet se kjo parti për muaj të tërë ka mbrojtur idenë e një presidenti jopartiak, konsensual dhe unifikues, duke argumentuar se institucioni i Presidentit duhet të qëndrojë mbi interesat partiake dhe të përfaqësojë unitetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, deklaratat e fundit të nënkryetarit Lutfi Haziri, sipas të cilave deputetët e LDK-së mund të unifikohen vetëm nëse kandidati për President vjen nga radhët e vetë partisë, dëshmojnë një ndryshim të qartë të qëndrimit politik ”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Halilaj potencoi se zhvillimet e fundit, tregojnë se kërkesa e LDK-së për president jopartiak nuk ka qenë një parim i qëndrueshëm politik. “Në aspektin politik dhe juridik, kjo paraqet një kontradiktë me narrativën e mëparshme të LDK-së.
Nëse më herët kërkohej një figurë jashtë strukturave partiake, tani po kërkohet që posti t’i rezervohet ekskluzivisht një subjekti politik dhe madje emrat e përmendur janë drejtues të lartë të vetë partisë. Kjo krijon perceptimin se kërkesa për president jopartiak nuk ka qenë një parim i qëndrueshëm, por një pozicion i përkohshëm politik i lidhur me rrethanat e momentit”.
Gazmend Halilaj Më tej, ai deklaroi se kompromiset në politikë janë të nevojshme, mirëpo ato duhet të bëhen në parime të qarta dhe jo në ndryshime të shpeshta të qëndrimeve politike. “Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve ka legjitimitetin më të madh elektoral për të udhëhequr procesin e formimit të institucioneve.
Kushtëzimi i votave me marrjen e postit të Presidentit mund të interpretohet si një përpjekje për të siguruar përfitime politike që nuk burojnë drejtpërdrejt nga vullneti i shprehur i qytetarëve në zgjedhje.
Në një demokraci parlamentare, kompromiset janë të nevojshme, por ato duhet të ndërtohen mbi parime të qarta dhe të qëndrueshme, jo mbi ndryshime të shpeshta të qëndrimeve sipas interesit politik të momentit”. Në fund, shtoi se LDK-në me deklaratat për synimin e presidentit e vënë në pozicion të kundërt me atë se çka deklaronin më parë.
“Prandaj, kërkesa aktuale e LDK-së mund të konsiderohet si largim nga deklaratat e saj të mëparshme për një president jopartiak dhe si dëshmi e një qasjeje më shumë pragmatike sesa parimore. Kjo e bën të vështirë të argumentohet se pozicioni i sotëm është në përputhje me atë që partia ka promovuar publikisht muaj më parë ”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
