Ditën e sotme, gjatë protestës së 28-të kombëtare përpara godinës së kryeministrisë, ka marrë fjalën edhe ish-drejtuesi i lartë i policisë, Krenar Ahmeti. Ai i ka bërë një thirrje të fuqishme popullit dhe mbarë qytetarëve që të mos zmbrapsen nga sheshi, duke theksuar se kjo qëndresë po bëhet për të ardhmen e fëmijëve shqiptarë.
Ahmeti kërkoi durim dhe vendosmëri nga të pranishmit, duke paralajmëruar se hapi i radhës i këtij revolucioni qytetar do të shënohet javën e ardhshme, pikërisht në një datë me rëndësi të madhe simbolike. “Nuk duhet me e lëshu frontin o popull. Këtu jemi për fëmijët tanë! Këtu jemi për të ardhmen e tyre! Duhet edhe pak! Duroni!
Në datën 4 korrik do jemi prapë këtu deri sa Rama të japë dorëheqjen!” , deklaroi Ahmeti nga tribuna e ngritur në bulevard. Më tej, ish-zyrtari i lartë i policisë bëri një lutje të veçantë për të gjithë qytetarët që do t’i bashkohen protestës në ditët në vijim.
Ai kërkoi që sheshi të mbushet me simbole të aleatit tonë kryesor strategjik, duke shprehur bindjen e plotë se faktori ndërkombëtar mbështet aspiratat e popullit shqiptar. “Kam vetëm një lutje! Sa më tepër flamuj amerikanë! God bless America. Jemi shtet prej atij kombi, duhet të tregojmë se duam Shba-në, duam Europën. Ma besoni, Amerika është me ne! Europa e përparuar është me ne!
Burra, frontin mos e lëshoni!”, përfundoi fjalën e tij Ahmeti midis duartrokitjeve të shumta të turmës.