Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte futbollisti i njohur kosovar Florent Hasani. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Exfis dhe Heineken. Hasani tregoi se pas dy vitesh e gjysmë të suksesshme te Trepça ’89, kishte ardhur koha për hapin e radhës në karrierë.
“Prapë kemi qenë kandidat për titull, por dimrit pas dy viteve e gjysmë, vjen momenti me e bë hapin e radhës”, tha ai. Megjithatë, ai pranoi se transferimi jashtë vendit ishte shumë më i vështirë sesa pritej, për shkak të mungesës së ekspozimit të futbollit kosovar në platformat ndërkombëtare të skautimit.
“Pse po them ka qenë e vështirë se gjatë bisedave kur i kemi pasur me 2-3 klube ata më thonin nuk po i gjejmë ndeshjet e Kosovës askund sepse janë disa platforma ku ti hyn e sheh lojtarin, e analizon ekipin, kurse këto ndeshjet e Kosovës nuk kanë qenë atë kohë”, rrëfeu Hasani.
Sipas tij, një rol vendimtar në ngritjen e interesimit nga klubet e huaja e pati Kombëtarja U21 e Kosovës, me paraqitjet në ndeshjet ndaj përfaqësueseve të mëdha evropiane. “Edhe më së shumti m’i kanë hapur rrugët Kombëtarja U21, ato ndeshjet me Norvegjinë, me Gjermaninë, rezultate historike”, u shpreh ai.
Hasani zbuloi se momenti që vulosi përfundimisht transferimin e tij në Hungari ishte çmimi individual si futbollisti më i mirë në Kosovë. “Edhe fakti i dytë që e ka vulosur transferimin në Hungari ka qenë ajo gala mbrëmja e Federatës ku shpallem lojtari më i mirë në Kosovë”, përfundoi Hasani.
Episodin e plotë me Florent Hasanin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./ Telegrafi
