Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi, ka bërë të ditur se ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar me sukses në shuarjen e një zjarri që ka përfshirë kulmin e një ndërtese në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë. Sipas tij, ndërhyrja është realizuar me profesionalizëm dhe përkushtim, duke arritur lokalizimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
“Sot, në një rast zjarri në kulmin e një ndërtese në rrugën ‘Isa Kastrati’ në Prishtinë, ekipet tona intervenuan me profesionalizëm dhe përkushtim për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit”, ka shkruar Gashi. Ai ka falënderuar të gjitha ekipet mbështetëse që kanë qenë të përfshira në operacion, përfshirë shërbimet emergjente dhe institucionet komunale.
Zjarr i madh përfshin një ndërtesë banimi në Prishtinë – tre persona marrin ndihmë mjekësore “Falënderojmë ekipin nga DSE, Policinë, ekipet mjekësore urgjente, ekipin e Komunës së Lipjanit dhe ekipet e KRU Prishtina për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar gjatë këtij operacioni” , ka deklaruar ai.
Gashi ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e zjarrfikësve, duke theksuar se ata kanë vepruar me përkushtim maksimal në menaxhimin e situatës. “Kolegët tanë dhanë maksimumin nga vetja dhe arritën ta shuajnë zjarrin me sukses”, ka shkruar ai. Në fund, ai ka shprehur mirënjohje për profesionalizmin dhe guximin e treguar në terren.
“Ju lumtë të gjithë kolegëve për angazhimin, sakrificën, guximin dhe profesionalizmin e treguar në kryerjen e detyrës” , ka përfunduar Gashi.
