Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka theksuar se bashkëpunimi ndërshqiptar nuk duhet të mbetet vetëm një ide për të cilën flitet, por të shndërrohet në një angazhim të përditshëm me projekte konkrete që sjellin përfitime për qytetarët.
Duke folur në Konferencën kushtuar agjendës së përbashkët ndërshqiptare, Mexhiti u ndal te fushat që, sipas tij, ofrojnë potencialin më të madh për bashkëpunim, duke veçuar arsimin, kulturën, ekonominë dhe turizmin si shtyllat kryesore mbi të cilat duhet të ndërtohen iniciativa të përbashkëta.
Ai solli edhe shembuj konkretë të këtij bashkëpunimi, si organizimi i Panairit Shqiptar në Shkup dhe Festivali Ndërkombëtar i Muzikës që do të mbahet në Çarshinë e Shkupit, me pjesëmarrjen e artistëve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij iu kushtua të rinjve.
Mexhiti theksoi se ata nuk janë vetëm e ardhmja, por edhe e tashmja, ndaj duhet të kenë më shumë hapësirë dhe përgjegjësi në proceset vendimmarrëse. Në përfundim, ai u shpreh se vetëm përmes besimit, bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët mund të ndërtohet një agjendë që u shërben shqiptarëve kudo që jetojnë dhe krijon më shumë mundësi për brezat e ardhshëm.
