Një paciente ka ndarë me redaksinë e Sinjalit ka shprehur shqetësimin për kushtet në Repartin e Gastroenterologjisë në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Në reagimin e saj, ajo pretendon se fëmijët dhe prindërit që qëndrojnë në këtë repart po përballen me mungesë të kushteve elementare, duke përmendur krevate të papërshtatshëm për prindërit, mungesë të jorganëve, jastëkëve dhe karrigeve në disa dhoma.
Sipas pacientes, edhe sistemi i klimatizimit nuk funksionon si duhet, gjë që e bën të vështirë qëndrimin në repart gjatë temperaturave të larta. Ajo ngre shqetësime edhe për gjendjen e banjove, duke pretenduar se mungojnë kushtet bazë të higjienës dhe se në disa raste nuk ka pajisje funksionale për larje dhe mirëmbajtje.
Ajo përmendet gjithashtu mungesa e frigoriferëve, çka, sipas saj, bën që ushqimi i blerë për fëmijët të prishet brenda pak orësh për shkak të vapës, duke rrezikuar shëndetin e tyre. Pacientja thekson edhe mungesën e stafit, duke vlerësuar se kjo e vështirëson ofrimin e kujdesit për pacientët.
Ajo thekson se ankesa nuk ka të bëjë me punën e stafit shëndetësor, të cilin e vlerëson për përkushtimin në rrethana të vështira, por është një kërkesë për kushte më të mira dhe dinjitoze për fëmijët dhe familjarët e tyre. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
