Ndërsa nga tribunat e stadiumit në Dallas mijëra tifozë japonezë, të veshur me fanellat blu dhe me flamurin e Japonisë të pikturuar në faqe, i bërtisnin “arigato” (“faleminderit”), Yuto Nagatomo i habiti të gjithë duke shpërthyer me një shprehje në italisht gjatë një interviste për televizionin e Tokios.
Kjo tregon se Italia, ku ai luajti nga viti 2010 deri në 2018, fillimisht me Cesenën dhe më pas, mbi të gjitha, me Interin, ka mbetur ende në zemrën e tij. Me fanellën zikaltër ai kaloi tetë sezone, zhvilloi 210 ndeshje, shënoi 11 gola dhe fitoi një Kupë Italie.
Nuk ishte periudha më e lavdishme për Interin, por mbrojtësi i majtë, i njohur për vrapin e pandalshëm dhe përkushtimin e tij, fitoi zemrat e tifozëve në Milano. Një gjë është e sigurt: italishten nuk e ka harruar. “Për mua vetë fakti që jam këtu është një emocion i madh, por tani dua të shkoj deri në fund. Brazili është i fortë, por ne mund ta mposhtim”, shtoi ai.
Në ballë mbante hachimaki, shiritin tradicional japonez që simbolizon përkushtimin dhe këmbënguljen. Në moshën 40-vjeçare ai po luan Kupën e tij të pestë të Botës. Ndoshta nuk do të arrijë rekordin e gjashtë Botërorëve si Messi dhe Cristiano Ronaldo, por edhe pesë janë një arritje e jashtëzakonshme, sidomos duke pasur parasysh se pak kush e priste.
Lotët e tij në ditën kur trajneri Hajime Moriyasu e përfshiu në listën e të grumbulluarve bënë xhiron e botës. Reagimi i tij u publikua nga Tokyo FC, skuadra ku luan që prej vitit 2021. “Ndiej vetëm një mirënjohje të pafund. Është një emocion i jashtëzakonshëm. Ia dola”, ishin fjalët e tij të para.
Ëndrra e tij amerikane u bë realitet mbrëmjen tjetër, kur në minutën e 75-të hyri në fushë në ndeshjen kundër Suedisë, e cila përfundoi 1-1 dhe i siguroi Japonisë vendin e dytë në grup dhe kualifikimin për fazën e 1/16-ve. Aty do të përballet me Brazilin të hënën në Houston, po në Teksas. Samurai Nagatomo beson fort.
E ka thënë që në ditën e parë: “Japonia ime mund të shkojë deri në fund, madje pse jo edhe ta fitojë turneun.” Ndoshta nuk do të jetë e lehtë, sepse favoritët janë të tjerë, por entuziazmi dhe ambicia nuk mungojnë. “Nuk do të dorëzohemi kaq lehtë.
Tetorin e kaluar e kemi mundur Brazilin 3-2 në një ndeshje miqësore dhe mund ta bëjmë sërish nëse luajmë siç dimë”, deklaroi pas ndeshjes trajneri Moriyasu, i cili drejton Japoninë që nga viti 2018 dhe është bërë një nga figurat më karakteristike të këtij Botërori falë tabelave të tij me kode, me të cilat u jep udhëzime futbollistëve. Tifozët e adhurojnë.
Edhe në Dallas, mbështetësit japonezë qëndruan në tribunat e stadiumit pas përfundimit të ndeshjes për të mbledhur me kujdes çdo mbeturinë, duke përdorur të njëjtat qese plastike blu që kishin valëvitur gjatë festimit të golit. Është rituali i O-soji, “pastrimi i madh”, që mishëron respektin e thellë për të tjerët dhe për hapësirat e përbashkëta.
Respekti, përkushtimi dhe serioziteti janë pjesë e kulturës japoneze, dhe Nagatomo është një shembull i gjallë i këtyre vlerave. Në këtë turne ai është vënë me përulësi në dispozicion të skuadrës, duke e ditur se për shkak të moshës nuk mund të jetë më një titullar i padiskutueshëm. Megjithatë, ai është shumë më tepër sesa një kapiten simbolik.
Pikërisht për këtë arsye trajneri e hodhi në fushë në momentin më delikat të ndeshjes. Ish-futbollisti i Interit doli nga fusha me kokën lart, duke marrë duartrokitje edhe nga ana tj etër e botës, nga tifozët zikaltër që ende nuk i kanë harruar përkuljet e tij para publikut pas një goli apo një fitoreje.
Kur mbërriti në Milano në vitin 2011, ai zbuloi edhe një nga sekretet e tij për të vrapuar pa u lodhur: umeboshi, kumbulla japoneze të kripura të konservuara në shëllirë. “Ato janë të pasura me acid citrik dhe ndihmojnë në largimin e lodhjes. I konsumoj gjithmonë para çdo ndeshjeje.” Me sa duket, këtë zakon nuk e ka braktisur kurrë.
Yuto Nagatomo -Lindi më në Saijo, Japoni. -Debutoi me Tokyo FC dhe në vitin 2010 u transferua në Itali te Cesena. Pas gjysmës së sezonit kaloi te Interi, ku luajti deri në vitin 2018. Aktualisht është sërish pjesë e Tokyo FC. -Ky është Botërori i tij i pestë, me gjithsej 16 ndeshje të zhvilluara në Kupat e Botës.
