Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka kujtuar 13-vjetorin e marrëveshjes së 27 qershorit 2013, duke e cilësuar atë si një nga gabimet më të mëdha politike të Kosovës pas luftës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abrashi tha se me atë marrëveshje u hodhën themelet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke akuzuar qeveritë e atëhershme se pranuan dhe nënshkruan një mekanizëm që, sipas tij, rrezikoi funksionalitetin e shtetit të Kosovës.
“Sot bëhen 13 vjet nga një prej gabimeve më të rënda politike të pasluftës: marrëveshja e 27 qershorit 2013, me të cilën u hodhën themelet e Zajednicës”, ka shkruar Abrashi. Postim i plotë: Sot bëhen 13 vjet nga një prej gabimeve më të rënda politike të pasluftës: marrëveshja e 27 qershorit 2013, me të cilën u hodhën themelet e Zajednicës.
Ata që sot shesin patriotizëm, dje firmosën mekanizmin që rrezikoi funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Serbia e deshi Asociacionin në tavolinë si detyrim të Kosovës, qeveritë e atëhershme e pranuan dhe e nënshkruan. Historia nuk fshihet. Dokumentet nuk zhduken. Përgjegjësia nuk amnistohet. Në Kosovë s’ka me pas Republikë Srpska të dytë.
Shteti jonë ndërtohet mbi Kushtetutën, sovranitetin dhe barazinë e qytetarëve, jo mbi asociacione monoetnike me kompetenca që cenojnë rendin kushtetues. Kujtesa është mbrojtja më e mirë kundër përsëritjes së gabimeve.
