Legjenda e futbollit të Kosovës, Esat Mehmeti, vlerëson se Kosova ka portierë me cilësi, por sipas tij, mungesa e besimit dhe ndryshimet e shpeshta në portë po ua vështirësojnë afirmimin. “Fati i çdo portieri varet nga perceptimi, besimi dhe rezultatet e ekipit. Në shumicën e rasteve portierëve tanë u mungon autonomia, ndërsa edhe trajnerët i ndërrojnë shpesh, herë njëri e herë tjetri.
Në këtë mënyrë është pothuajse e pamundur të standardizohet një portier. Ky rotacion i vazhdueshëm nuk sjell rezultate”, tha Mehmeti. Ai shtoi se pothuajse të gjitha skuadrat po ankohen se nuk kanë portier cilësor, ndonëse, sipas tij, realiteti është ndryshe.
“Duhet të mbizotërojë një politikë dhe një sistem pune, ku trajnerëve t’u lihet e drejta dhe përgjegjësia për të vendosur se kush duhet të jetë portieri standard”, u shpreh ai. Mehmeti foli edhe për portierin Donat, për të cilin tha se ka cilësi dhe përvojën e nevojshme. “Në një bisedë me mikun tim, artistin Hysni R.
Mehmeti, i cili jeton dhe vepron në Gjermani, ai ishte i brengosur për karrierën e nipit të tij, Donatit, dhe më kërkoi mendimin tim për cilësitë dhe vlerat e tij. Pa dyshim, Donati tashmë e ka përvojën e duhur, pasi ka mbrojtur në disa skuadra, edhe pse ende jo në Superligë.
Unë nuk jam menaxher për t’ia ofruar ndonjë skuadre Donatin, por kam shumë miq nëpër klube që i besojnë vlerësimit tim dhe lirisht mund ta angazhojnë, sidomos kur dihet se ai është lojtar i lirë”, përfundoi Mehmeti.
