Mjekja tregon pijen më të mirë për hidratim gjatë vapës

0%

Ndërsa moti i ngrohtë vazhdon këtë javë dhe javën e ardhshme, një eksperte ka zbuluar pijen më të mirë për t’u konsumuar në vapë. Edhe pse shumica do të supozonin se është uji, për shkak të aftësisë së tij për të mbajtur trupin të hidratuar gjatë temperaturave të larta, një mjeke ka pohuar se ekziston një alternativë tjetër. Dr. Natasha Fernando, drejtoreshë mjekësore në Medichecks, tha se një pije e veçantë “mund të jetë më hidratuese se uji”. Sipas saj, qumështi është i dobishëm për shkak të përmbajtjes së tij në sheqerna, proteina dhe yndyra, të cilat ngadalësojnë shpejtësinë me të cilën lëngjet largohen nga stomaku. Kjo ndihmon që trupi të qëndrojë i hidratuar për më gjatë. “Shumë ndërtesa në Mbretërinë e Bashkuar nuk janë të përgatitura mirë për të përballuar nxehtësinë ekstreme, prandaj është më e rëndësishme se kurrë të kujdesemi për nivelet e hidratimit gjatë periudhave të motit të nxehtë,” tha mjekja për Metro. “Megjithatë, nuk duhet të kufizoheni vetëm te uji për të ruajtur hidratimin.” Ekspertja shtoi se qumështi përmban gjithashtu natrium, i cili ndihmon trupin të mbajë ujin për më gjatë, duke përmirësuar nivelet e hidratimit. Ajo gjithashtu tregoi se lloji më i mirë i qumështit për t’u konsumuar gjatë valëve të të nxehtit është qumështi i sojës, pasi “përmban elektrolite që ndihmojnë më tej në rihidratim”. Përveç qumështit, ajo theksoi se edhe pije si uji i kokosit dhe lëngu i kastravecit ndihmojnë në freskimin e trupit gjatë motit të nxehtë. Ajo rekomandoi gjithashtu fruta dhe perime si shalqiri dhe kastraveci, të cilat ndihmojnë në hidratim. Faqja e NHS liston simptomat e dehidratimit që duhet të kenë parasysh qytetarët. Ndjenja e etjes, urinimi më i rrallë se zakonisht dhe marramendja mund të jenë shenja të dehidratimit. Gjithashtu, lodhja, goja e thatë, buzët dhe gjuha e tharë dhe urina me ngjyrë të errët ose me erë të fortë janë simptoma që mund të tregojnë nevojën për të konsumuar më shumë lëngje – qoftë ujë apo qumësht. NHS rekomandon që personat që përjetojnë këto simptoma të pinë shumë lëngje në gllënjka të vogla ose të kontaktojnë farmacistin për solucione orale rihidratuese.

Burimi: Telegrafi