Ishte një vajzë që kërkonte shkollim, tash bashkon komunitete Ka 13 vjet që Arjeta Islami është pjesë e organizatës The Ideas Partnership në Fushë Kosovë. Sot ajo është koordinatore e qendrës, duke punuar çdo ditë me kolegë dhe përfitues nga komunitete të ndryshme pakicë, kryesisht romë, egjiptianë e ashkali.
Si pjesëtare e këtij komunitetit të fundit, Islami thotë se puna në organizatë i ka ofruar jo vetëm mundësi profesionale, por edhe përvoja që kanë ndihmuar në ndërtimin e urave mes të gjitha etnive.
Arjeta Islami, koordinatore e qendrës së Fushë Kosovës, The Ideas Partnership Islami: Çdo herë bashkëpunojmë edhe i dalim në ndihmë njëri-tjetrit “Me ardh me punu këtu, është përime një emocion shumë i mirë, për shkak se përveç punës që na i ndihmojmë komuniteteve dhe njerëzve që kanë nevojë, edhe brenda me kolegët e kemi një bashkëpunim shumë të mirë, edhe një përkuptim shumë të mirë.
Domethënë, çdo herë bashkëpunojmë edhe i dalim në ndihmë ku ka nevojë njëri-tjetri…. … Me kolegët nuk është që kemi ndonjë sfidë, ose edhe nëse i kemi, domethënë, e zgjidhim, mundohemi që me i ndihmu njëri-tjetrin që thash herët edhe me gjetë një zgjidhje për sfidën……Pa marrë parasysh sfidat të cilat dalin, do të thotë kur je kur ti ke synim për me i ndihmu dikujt, asnjëherë nuk e sheh cilit komunitet ose një paragjykim për dikë tjetër… …
Domethënë, nuk është me rëndësi cilët komunitete i takon, ose çfarë pozite ka, varësisht prej komunitetit. Domethënë, duhet me pasë një bashkëpunim të nmirëfilltë që puna me shku shumë mirë”, tha ajo.
Të njëjtën përvojë e ndan edhe bashkëkombasi i saj, Hysni Hasani, që si koordinator në këtë qendër thotë se puna me kolegë nga komunitete të ndryshme karakterizohet nga komunikimi i vazhdueshëm. Përtej dallimeve, qëllimi i përbashkët për t’u ardhur në ndihmë njerëzve ka krijuar një gjuhë të përbashkët mes tyre.
Hysni Hasani, koordinator i qendrës së Fushë Kosovës, The Ideas Partnership Hasani: Kemi hasur gjuhë të përbashkët për ndihmën e komuniteteve “Bashkëpunimi është shumë i mirë. Punëtori i parë që jam këtu si 15 vite, edhe ka pasë shumë punëtorë tjerë, për shembull, që ka pasë prej komuniteteve të ndryshme.
Po bashkëpunimi është i mirë shumë, komunikojmë shumë mirë, edhe është për sfida, probleme, së bashkë, sikur tash që jemi, për shembull, në takim, edhe diskutojmë se mënyra se qysh me u zgjidhë ai problem, ose në sende të ndryshme që kemi projekte….…
Tu i pa përvojat tona të ndryshme, nevojat e njëjta, për shembull, qëllimet e njëjta, që për me i ndihmu, edhe kemi hasur gjuhë të përbashkët për ndihmën e komuniteteve këtu”, tha ai. Ky bashkëpunim reflektohet edhe në aktivitetet e përditshme të organizatës, ku të rinjë nga komunitete të ndryshme angazhohen në mbështetjen e fëmijëve dhe nxënësve.
Ata kontribuojnë si asistentë në punën me fëmijët e kopshtit dhe nxënësit e shkollave fillore, duke krijuar një mjedis ku bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndërtohen që në moshë të hershme. Për drejtorin ekzekutiv të organizatës, shqiptarin Arbon Osmani, kjo qasje ka qenë pjesë e punës së organizatës që nga fillimi i saj.
Ai thotë se përfshirja e komuniteteve të ndryshme në staf jo vetëm që ka ndihmuar në krijimin e besimit te qytetarët, por edhe në kuptimin më të mirë të nevojave të tyre.
Arbon Osmani, drejtor ekzekutiv, The Ideas Partnership Osmani: Bashkëpunimi i mirë i stafit ka ndikuar në një bashkëpunim të mirë edhe me përfituesit “Organizata jonë për momentin ka 20 punëtorë aktivë, diku 45% e stafit janë prej komuniteteve, pra përveç komunitetit shqiptar ka komunitete ashkali-egjiptiane rome e kështu me radhë.
Pra, jemi mundu me pasë një gjithëpërfshirje të gjitha komuniteteve, për arsye se edhe puna që bëhet këtu në qendrat tona është kryesisht me këto komunitete, dhe kjo për arsyen se qytetarët e komuniteteve, stafi që i kemi prej komuniteteve, i dinë nevojat, kërkesat edhe çkado që ata vijnë, më mirë sesa gjithë të tjerët.
Po ashtu, përmes tyre kanë krijuar njëfarë adrese, njëfarë besimi më të mirë, edhe kështu kemi vazhduar me funksionu që sa vite….. Bashkëpunimi me staf sidomos është shumë i mirë.
Normalisht, në seancat e përgjithësive dhe të punës që e kemi të përditshme, bashkëpunimi është i mirë, po kjo ka ndiku shumë më mirë edhe në krijimin e bashkëpunimit dhe punës edhe me përfituesit tanë që i kemi në komunitete të ndryshme”, u shpreh ai. Por gjithë kjo histori suksesi nuk nisi me një projekt apo strategji të planifikuar.
Bashkëthemeluesja e organizatës, Elizabeth Goëing, thotë se gjithçka filloi para 15 viteve nga një takim i rastësishëm me një vajzë nëntëvjeçare nga komuniteti ashkali, e cila dëshironte të shkonte në shkollë, por nuk ishte pranuar.
Elizabeth Gowing, bashkëthemeluese e The Ideas Partnership Goëing: E gjithë ideja e organizatës ka ndryshuar pas takimit me vajzën 9 vjeçare nga komuniteti ashkali “Ideja ka fillu me një varg qëllimesh, se punojmë, kemi punu edhe vazhdojmë me punu edhe me ambientin, edhe me trashëgiminë kulturore, por unë jam mësuese me profesion, pra më së shumti për arsimin, por jo veçanërisht për komunitetet pakice në atë kohë kur kemi themelu organizatën…. …
Mirëpo, krejt puna edhe natyra e organizatës ka ndryshu kur unë jam taku rastësisht me një vajzë nga komuniteti ashkali, vajzë 9-vjeçare, Xhelanja, edhe ajo më ka tregu që ajo ka dëshirë me shku në shkollë, edhe shkolla nuk e ka pranu…. …Pra, unë si mësuese kam thënë që unë mundem me të mësu në mënyrë që ti mundesh me kalu testin që e ka vendosë shkolla si një farë barrierë për pjesëmarrjen në shkollë.
Edhe ideja, ose përgjigjja e saj ishte shumë interesante, kur kam thënë: “Hajde edhe ta mësojmë bashkë çdo ditë”, ajo thotë: “A mund të vijnë edhe shoqet e mia?” Edhe kjo më ka bërë shumë përshtypje, sepse faktikisht kjo është mënyra më transformuese që mundesh me reagu ndaj një mundësie. Jo vetëm me marrë atë mundësi për veten, por edhe a mundem me ardhë edhe shoqëria ime.
Edhe kështu ka thënë ajo, edhe prej një fëmije u zgjeru në një aktivitet”, tha ajo. Sipas Gowing, paragjykimet thyhen më lehtë kur njerëzit njihen dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Ajo thotë se përmes vullnetarizmit, arsimit dhe punësimit, pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme krijojnë marrëdhënie që ndikojnë në uljen e diskriminimit dhe forcimin e mirëkuptimit në shoqëri.
Elizabeth Gowing, bashkëthemeluese e The Ideas Partnership Gowing: Komunitetet bashkohen kur punojnë për një qëllim të përbashkët “Po, bashkëpunimi është shumë i mirë, edhe më pëlqen sepse ne nuk e bëjmë bashkëpunimin mes komuniteteve si një projekt… Ne e bëjmë përmes aktivitetit që njerëz që kanë një qëllim të përbashkët, hasin njëri-tjetrin gjatë punës.
Jo që atë bashkëpunim është qëllimi në vetvete, por kjo del rrugës edhe në mënyrë natyrshme. Edhe kjo vjen më së shumti përmes vullnetarizmit, sepse kemi vullnetarë të komuniteteve rrome ashkali-egjiptiane, që janë në këtë lagje edhe lagjet përreth qendrës së tjera.
Por kemi edhe vullnetarë që janë prej komunitetit shumic, edhe ata vullnetarët vijnë në qendrat, edhe shoqërohen mes vete, rini me rini, ose një student që punon si vullnetar në qerdhe çdo javë, edhe ata kështu njohin me individët, jo me komunitet si një grup që është si diçka e huaj”, tha ajo.
Përveç programeve edukative për fëmijët, në qendër zhvillohen edhe aktivitete që mbledhin së bashku vajza, të rinj dhe familje nga komunitete të ndryshme. Një prej iniciativave të veçanta është “Free Shop”, ku qytetarët dhurojnë veshmbathje, këpucë dhe artikuj të tjerë për familjet në nevojë.
Përmes këtij modeli, ndihma shndërrohet në një formë konkrete solidariteti mes njerëzve nga komunitete të ndryshme. Elizabeth Gowing, bashkëthemeluese e The Ideas Partnership Gowing: FreeShop: Kur një palë këpucë bëhet mundësi “E dhe një shembull tjetër për si e bëjmë integrimin e komuniteteve të ndryshme, është përmes “free shop-it”, edhe kjo është diçka shumë konkrete.
Kur një familje, qoftë shqiptare apo çfarëdo tjetër, ka ndonjë rrobë ose çantët e shkollës ose këpucët që nuk i vynë më, edhe janë në gjendje të mirë, ata na falin, na e ofrojm në këtë “free shop”, edhe familjet që janë përnjëmend me nevojë vijnë, edhe mund të zgjedhin me dinjitet, munden me përzgjedhë çka është element ose artikull që i vynë përnjëmend.
Edhe ata, këpucët, ecën bashkë me fëmijët deri në bankën e shkollës. Edhe ne jemi shumë të përkushtuar për me tregu donatorëve, ata që e kanë dhuruar këto këpucët ose batanijet për bebet, sa më shumë e dërgojmë një foto ”, tha ajo. Përveç mbështetjes në arsim dhe aktiviteteve komunitare, organizata ofron edhe shërbime që lidhen me mirëqenien dhe shëndetin e familjeve.
Çdo të shtunë, shqiptarja Mirnie Gujnovci zhvillon këshillime shëndetësore për gratë dhe vajzat nga komunitete të ndryshme në Fushë Kosovë, duke trajtuar tema që lidhen me shëndetin e tyre dhe fëmijëve. Mirnie Gujnovci, këshilltare shëndetësore, The Ideas Partnership Gujnovci: Pranimi dhe bashkëpunimi kanë ardhur natyrshëm “ Unë asnjëherë nuk kam pas problem.
Unë shumë kam punu nëpër komunitete, shumë kom hynë nëpër shtëpi atyne, ku i kemi bë vizitat që i kena bë nëpër shtëpi. Për shtatzëna, për bebat e vogla, për fëmijë deri në 3 vjeç, për vaksinim, vaksinim nëpër shtëpia. Nuk kom pasë kurrë problem, kurrë s’kanë hezitu. As unë nuk kom hezitu po as ata nuk kanë hezitu. Se unë me kolegët këtu kaloj shumë mirë.
Nuk e di, unë nuk muj me dallu a është një komunitet i tjetër, apo çfarë komuniteti është….…Mënyra qysh na pranojnë është shumë e mirë. Ata na pranojnë, i bëjmë atë vizitë që kena me ba për grunë. Këshillimi, me pa terapinë qysh ka me marrë beba sa është i vogël, varet prej moshës së bebës, çfarë këshilla me i dhënë ”, tha ajo.
Organizata “The Ideas Partnership” mbështetet nga organizatat dhe fondacionet humanitare por edhe nga agjenciotë shtetërore zhvillimore. Kryesoret prej tyre janë UNDP, UNICEF, UN Volunteers, Save the Children, yhe Rockfeller Brothers Foundation, si dhe ambasadat e Britanisë së Madhe, SHBA-së, Finlandës dhe Austrisë.
Atë e themeluan Elizabeth Gowing, Ardian Arifaj dhe Robert Wilton, ndërsa e mbikëqyr një bord po ashtu vendor dhe ndërkombëtar. Kjo storie është realizuar nga Qendra për Inovacion dhe Zhvillim -CFID dhe Kosovapress, në kuadër të një projektit të përbashkët me UNMIK-un që synon ndërtimin e mirëbesimit në mes të komuniteteve në Kosovë.
