Shpërndaje në: Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar sot rezultatet e deritanishme të auditimeve për sezonin 2025/2026, duke nxjerrë në pah një varg shkeljesh në institucionet publike, nga prokurimi dhe buxheti, deri te menaxhimi i pronës dhe subvencioneve.
Në konferencën për media, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantuan të gjeturat kryesore, duke theksuar se auditimet vazhdojnë të evidentojnë dobësi të përsëritura në menaxhimin e financave publike.
Sipas Spancës, për sezonin 2025/2026 janë planifikuar 145 auditime, prej të cilave 102 tashmë janë publikuar, derisa deri më 30 qershor pritet të përmbyllen 88 auditime e detyrueshme të rregullsisë dhe 12 të ndërmarrjeve publike, ndërsa pjesa tjetër e auditimeve të Pajtueshmërisë, Performancës, atyre të klasifikuara dhe auditimeve të projekteve të Bankës Botërore pritet të përfundohet sipas planit përgjatë vitit sipas saj, do të finalizohet gjatë vitit.
Sipas saj, Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Kosovës pritet t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës jo më vonë se 31 gusht të vitit 2026. Spanca bëri të ditur se nga 94 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë, janë dhënë 55 opinione të kualifikuara, 4 të kundërta dhe 35 të pamodifikuara.
Sipas ZKA-së, problemet kryesore lidhen me pasaktësi në raportimin financiar, shkelje në procedurat e prokurimit, si dhe mangësi në menaxhimin e kontratave dhe shpenzimeve publike. Spanca ka bërë të ditur se në ndërmarrjet publike janë regjistruar 4 opinione të kundërta dhe 5 të kualifikuara.
“Për 94 raportet e publikuara të auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë për PVF-të, deri më tani, janë dhënë 55 opinione të kualifikuara (9 ministri, 33 komuna, 8 institucione të pavarura dhe 5 NP), 4 opinione të kundërta (NP) dhe 35 opinione të pamodifikuara: (4 komuna: MV, Junik, Ranillug dhe Shtërpcë; 5 ministri: Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes, MPJD, MSH dhe MFPT; 24 institucione të pavarura dhe 2 auditime të veçanta).
Për 9 ndërmarrjet publike, kemi dhënë 4 opinione të kundërta (KRU-Hidrodrini Sh.a., KRM-Uniteti Sh.a., KRM-Pastrimi Sh.a. dhe Stacioni i Autobusëve Sh.a.) dhe 5 opinione të kualifikuara (KOSTT Sh.a., KEK, KRU-Prishtina Sh.a., NPH Iber-Lepenci Sh.a. dhe Termokos Sh.a.)”, tha Spanca. Në raportin e prezantuar sot, ZKA evidentoi një seri shkeljesh sistematike në nivel qendror dhe lokal.
Ndër to: hyrje në obligime pa mbulesë buxhetore, kontraktim i projekteve pa fonde të siguruara, vonesa në realizimin e investimeve kapitale, si dhe mosrespektim i procedurave të prokurimit publik. Po ashtu, janë evidentuar raste të pagesave me vonesë, angazhime të stafit jashtë procedurave ligjore, si dhe përdorim i mangët i sistemit të e-prokurimit.
Një nga pjesët më të theksuara të raportit i takon Komunës së Prishtinës, ku ZKA ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare dhe konkluzion të kundërt për pajtueshmërinë.
Sipas raportit, janë identifikuar: klasifikim i gabuar i shpenzimeve në 52 raste, në vlerë mbi 7.7 milionë euro, mbivlerësim i detyrimeve kontingjente mbi 27 milionë euro, pasaktësi në llogaritë e arkëtueshme dhe detyrimet financiare.
“Raporti i Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare për vitin 2025 për Komunën e Prishtinës ka rezultuar me 25 rekomandime, nga të cilat 14 janë rekomandime të përsëritura, 3 janë pjesërisht të zbatuara, ndërsa 8 janë rekomandime të reja. Auditimi i Komunës ka rezultuar me opinion të kualifikuar si pasojë e mangësive materiale në PVF.
Çështjet që e kanë ndikuar opinionin janë: Në 52 raste, në vlerë totale prej 7,766,370 €, shpenzimet ishin klasifikuar në kategori ekonomike jo adekuate, përfshirë pagesa nga vendime gjyqësore/përmbarimore dhe pagesa të tjera të realizuara nga Komuna, duke ndikuar në paraqitjen e saktë të shpenzimeve në PVF.
Detyrimet kontingjente në PVF ishin mbivlerësuar për 27,289,835 €, si rezultat i prezantimit jo të saktë të lëndëve gjyqësore.Obligimet e papaguara ishin paraqitur dy herë në PVF, duke rezultuar në mbivlerësim të detyrimeve për shumën prej 164,851 €. Llogaritë e arkëtueshme në PVF ishin mbivlerësuar për 680,021 €”, tha Spanca.
ZKA ka ngritur gjithashtu shqetësime për një projekt me UNDP-në, ku janë transferuar 5.2 milionë euro parapagim, ndërsa mungon monitorim i plotë institucional dhe transparencë mbi zbatimin e tij.
“Auditimi ka nxjerr ne pah se Komuna nuk kishte kërkuar dhe siguruar me kohë raporte financiare dhe raporte monitorimi lidhur me ecurine dhe realizimin e projektit, pěrkunder vlerës se konsiderueshme te mjeteve te transferuara dhe munděsise se percaktuar ne marrëveshje që UNDP-ja t’i ofrojë këto raporte me kërkesë të Komunes.
Raportet nga UNDP-ja ishin siguruar vetëm gjatë vitit 2026 pas kërkesës së auditorit. Nga Komuna ishte siguruar vetëm nje raport i kompletimit te punëve per renovimin e pjesërishëm të objektit Germia.
Për shkak se te gjitha fondet ishin transferuar tek UNDP, auditorët nuk kishin qasje të drejtpërdrejte ne dokumentacionin dhe shpenzimet e realizuara nga UNDP-ja per zbatimin e projektit, çka kufizoi mundësinë e verifikimit të shfrytëzimit te mjeteve dhe realizimit të aktiviteteve të projektit.
Si rezultat, auditimi eshte mbështetur kryesisht në raportet dhe informacionet e siguruara nga Komuna. Sipas raportit të UNDP-së, projekti kishte pësuar ndryshime ne fusheveprim, aktivitete dhe rialokim të buxhetit, pasi kostot e rehabilitimit dhe funksionalizimit të kompleksit të Tulltorës kishin tejkaluar buxhetin në dispozicion.
Fillimisht, projekti kishte paraparë rivitalizimin e plotë të ndërtesave D1, D2 dhe D3 për instalimin e sistemit “Deep Space 8K” dhe mini-fabrikës robotike per prodhim te tullave, me vlerë të vlerësuar te investimit prej reth 7,000,000€, ndërsa buxheti total i projektit METIAH ishte reth 5,000,000€”, tha Spanca.
Raporti evidenton edhe shkelje të shumta në procedurat e prokurimit, përfshirë gabime në vlerësim të ofertave, mospërfshirje të pozicioneve në kontrata dhe devijime në vlerat përfundimtare të projekteve. Po ashtu, janë konstatuar raste të lidhjes së kontratave pa mbulesë buxhetore dhe fillim i punimeve pa leje të nevojshme ndërtimore në projekte të mëdha infrastrukturore.
Spanca tutje ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025, pagesat përmes vendimeve gjyqësore kanë arritur në mbi 45 milionë euro. Po ashtu, janë regjistruar vonesa në pagesa deri në 131 ditë, si dhe mungesë dokumentacioni për ndarjen e saktë të kamatave dhe shpenzimeve përmbarimore.
“Gjatë vitit 2025, vlera e pagesave te realizuara permes vendimeve gjyqësore ishte shumë e lartë, duke arritur ne 45,691,077€. Gjatë testimit të pagesave të realizuara përmes vendimeve giyqësore kemi identifikuar mangësi në klasifikimin, dokumentimin dhe verifikimin e tyre, si dhe vonesa në realizimin e pagesave përtej afatit ligjor prej 30 ditësh.
Pagesat ishin realizuar nga kategori të ndryshme ekonomike, ndërsa në disa raste mungesa e urdhrave përmbarimorë nuk na ka mundësuar ndarjen e saktë ndërmjet vlerës bazë, kamatës dhe shpenzimeve permbarimore.
Rastet e identifikuara janë si më poshtë: Nga kategoria e investimeve kapitale ishin realizuar nëntë pagesa në vlerë prej 4,496,994€, ndërsa shpenzimet e kamatës dhe permbarimit pür këto pagesa ishin 81,800€. Nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve ishin testuar 16 pagesa ne vlerë prej 3,963,155€.
Për pesë prej tyre, në vlerë prej 1,722,821€, janë siguruar dëshmi për shpenzimet e përmbarimit ne vlerë prej 226,851€. Ndërsa, per 11 pagesa ne vlerë prej 2,190,334€, nuk janë siguruar urdhrat permbarimor, andaj nuk kemi mundur të përcaktojmë ndarjen ndërmjet vlerës bazě, kamates dhe shpenzimeve përmbarimore.
Po ashtu, për një pagesë te realizuar nga kategoria e subvencioneve për paga dhe meditje, në vlerë prej 134,445€, nuk janë siguruar urdhrat permbarimor, me gëllim të verifikimit dhe ndarjes së shpenzimeve.
Në një rast tjetër, tek nje vendim giyqësor i paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve në vlerë prej 147,143€ per paga jubilare, kemi vërejtur se shuma prej 11,758€ kishte të bënte me dy punonjes për të cilët debitor nuk ishte Komuna e Prishtinës, por Ministria e Punëve të Brendshme.
Megjithatë, pagesa ishte realizuar nga Komuna, pasi këta punonjës ishin përfshirë në listën e pagesës”, u shpreh Spanca. Në disa raste, tha ajo, subvencionet janë dhënë pa procedura të hapura konkurruese, përfshirë financimin e organizatave joqeveritare, çka sipas Spancës përbën shkelje të rregullave të transparencës dhe barazisë në financim publik.
Në pjesën e auditimeve të performancës, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, tha se janë evidentuar mangësi serioze në disa institucione publike. Në “Termokos”, raporti flet për shpërndarje të pabarabartë të ngrohjes, sistem të dobët të faturimit dhe mungesë të kapaciteteve rezervë.
Në Agjencinë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), janë evidentuar probleme me sistemin elektronik, mungesë të të dhënave të plota dhe inspektime të parregullta. Ndërsa në Universitetin e Prishtinës, sistemi SEMS është vlerësuar me mangësi në qeverisjen e TI-së, sigurinë e të dhënave dhe varësinë nga operatorët e jashtëm.
Në fund, ZKA u bëri thirrje institucioneve publike që t’i trajtojnë me seriozitet rekomandimet e auditimit, duke theksuar se ato synojnë përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies në menaxhimin e parasë publike.
