Zëvendësministri Nimoni mori pjesë në tryezën e diskutimit “Parandalimi i torturës përmes mbrojtjes së shëndetit mendor në institucionet korrektuese”

0%

Zëvendësministri i Drejtësisë në detyrë, Genc Nimoni, mori pjesë në tryezën e diskutimit “Parandalimi i torturës përmes mbrojtjes së shëndetit mendor në institucionet korrektuese”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me rastin e 26 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës.

Në fjalën e tij hyrëse, Zëvendësministri Nimoni theksoi se kjo ditë shërben si rikujtim i obligimit të përhershëm për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, për të parandaluar çdo formë trajtimi çnjerëzor dhe degradues, si dhe për të garantuar respektimin e të drejtave themelore të çdo personi të privuar nga liria në Kosovë.

Ai theksoi se gjatë viteve të fundit janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit, përmes krijimit të mekanizmave të përbashkët ndërmjet Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, duke zbatuar standardet më të larta të Këshillit të Evropës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Me këtë rast, Zëvendësministri Nimoni njoftoi se projekti dyvjeçar i Këshillit të Evropës për trajtimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor është drejt përfundimit, ndërsa, me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë buxhet për zgjerimin e kapaciteteve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, projekt i cili pritet të përfundojë në muajt në vijim.

Ai veçoi gjithashtu themelimin, me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë, të Institucionit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, i cili funksionon si pavijon i veçantë në kuadër të Qendrës Korrektuese në Dubravë.

Në përmbyllje, Zëvendësministri Nimoni ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për avancimin e standardeve të të drejtave të njeriut dhe garantimin e trajtimit dinjitoz të personave të privuar nga liria.

Burimi: Bota Sot