Ka përvjetorë që shënojnë kalimin e viteve, por ka edhe përvjetorë që dëshmojnë historinë. Një i tillë është 31-vjetori i gazetës kombëtare “Bota sot”, një institucion i fjalës së lirë, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në gazetarinë shqiptare dhe në jetën e diasporës sonë. Me respekt dhe mirënjohje të thellë, kam nderin të përgëzoj editorin e kësaj gazete, z.
Xhevdet Mazrekaj, për vizionin, përkushtimin dhe guximin me të cilin ka mbrojtur fjalën e lirë gjatë më shumë se tri dekadave. Urime për këtë përvjetor të rëndësishëm dhe suksese të pafundme në misionin fisnik të informimit! Gazeta kombëtare “Bota sot”, e themeluar në Cyrih të Zvicrës 31 vjet më parë, nisi rrugëtimin e saj në një kohë sfiduese për kombin shqiptar .
Ajo u bë gazeta e parë e përditshme dhe mbetet e vetmja gazetë shqiptare në diasporë që është botuar pandërprerë për më shumë se tri dekada. Ky është një sukses i rrallë, që flet për seriozitetin, profesionalizmin dhe besimin që lexuesit kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë ndaj saj.
Në periudhat më të vështira të historisë sonë kombëtare, kur atdheu kishte më së shumti nevojë për mbështetjen e mërgatës, “Bota sot” ishte zëri që bashkoi shqiptarët kudo në botë. Ajo informoi, frymëzoi, mobilizoi dhe mbajti gjallë idealin kombëtar, duke pasqyruar çdo aktivitet, organizim dhe përpjekje të diasporës shqiptare.
Për mijëra bashkatdhetarë, kjo gazetë nuk ishte thjesht një burim informacioni, por një urë lidhëse me vendlindjen dhe një tribunë e lirë ku dëgjohej zëri i tyre. Kam pasur fatin dhe privilegjin të jem pjesë e kësaj historie, duke punuar për vite me radhë si redaktorë i diasporës në redaksinë qendrore në Cyrih.
Ishte një periudhë e paharrueshme, një kohë e artë e gazetarisë shqiptare, kur gazeta kishte një tirazh prej qindra mijëra ekzemplarësh vetëm në Zvicër dhe një staf me personalitete të kohës. Ishte një përgjegjësi e madhe, por edhe një krenari e veçantë të kontribuoja në një medium që gëzonte besimin e jashtëzakonshëm të lexuesve.
Më kujtohen telefonatat e shumta që merrnim çdo ditë nga lexuesit tanë. Ata na falënderonin, na përgëzonin dhe na inkurajonin për punën që bënim. Shpesh bashkatdhetarët na thoshin një fjali që e ruaj me shumë respekt edhe sot: “Kur një shkrim botohet te ‘Bota sot’, atëherë e kuptojmë peshën dhe rëndësinë e tij.”
Ky ishte vlerësimi më i madh për çdo gazetar dhe bashkëpunëtor të kësaj gazete. Dashnim Hebibi, Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova Gjatë viteve pata mundësinë të realizoj intervista dhe reportazhe me personalitete të shquara shqiptare dhe ndërkombëtare, të shkruaj për çështje kombëtare, për kulturën, historinë dhe veprimtarinë e diasporës shqiptare në mbarë botën.
Çdo shkrim ishte një përpjekje për të dokumentuar jetën dhe kontributin e shqiptarëve, duke ua përcjellë lexuesve me profesionalizëm dhe përgjegjësi. Në faqet e “Bota sot” kanë shkruar qindra gazetarë, intelektualë, studiues, shkrimtarë dhe personalitete të njohura, duke e bërë atë një arkiv të çmuar të historisë sonë bashkëkohore.
Gazeta ka kaluar sfida të shumta, presione dhe vështirësi, por nuk është dorëzuar kurrë. Ajo ka mbrojtur fjalën e lirë me çdo çmim, duke qëndruar besnike ndaj së vërtetës, etikës profesionale dhe interesit kombëtar. Edhe sot, pas 31 vitesh, “Bota sot” vazhdon të mbetet një hapësirë e rëndësishme për diasporën shqiptare.
Jam krenarë që vazhdoj të bashkëpunoj herë pas here me shkrimet e mia në këtë gazetë, sepse ajo mbetet një adresë me autoritet dhe besueshmëri, ku fjala e shkruar vlerësohet dhe respektohet. Dashnim Hebibi, Mark Krasniqi Fjala e lirë është themeli i demokracisë. Ajo është zëri i së vërtetës, kujtesa e një kombi dhe pasqyra e ndërgjegjes së një shoqërie.
Gazeta “Bota sot” e ka mbrojtur këtë mision me përkushtim, integritet dhe guxim për më shumë se tri dekada, duke mos lejuar që zëri i shqiptarëve të heshtë asnjëherë. Në këtë 31-vjetor, uroj nga zemra editorin z. Xhevdet Mazrekaj, gjithë stafin e palodhur, bashkëpunëtorët ndër vite dhe lexuesit besnikë, të cilët kanë qenë mbështetësit dhe frymëzimi i këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm.
Urime 31-vjetori i gazetës kombëtare “Bota sot”! Uroj që kjo vatër e fjalës së lirë të vazhdojë edhe për shumë dekada të tjera të jetë zëri i së vërtetës, i kombit dhe i diasporës shqiptare. Historia që ka ndërtuar është një pasuri kombëtare, ndërsa misioni i saj mbetet po aq i rëndësishëm sot, sa ishte ditën kur doli numri i parë. Gëzuar dhe suksese të pafundme!
