Ish-ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Ivanov, ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Ai konsiderohej një nga figurat më me ndikim në rrethin e ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, me të cilin kishte bashkëpunuar për dekada. Shkaku i vdekjes së Ivanovit nuk është bërë ende i ditur nga autoritetet ruse, shkruan reuters .
Ivanov ishte ish-oficer i KGB-së sovjetike dhe e nisi karrierën në shërbimet e inteligjencës së jashtme. Më vonë ai u emërua ministër i Mbrojtjes së Rusisë, duke luajtur një rol kyç në strukturat e sigurisë së vendit.
Pas drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes, ai shërbeu si zëvendëskryeministër dhe më pas si shef i administratës presidenciale, duke mbetur një nga njerëzit më të besuar të Kremlinit. Për shumë vite, Ivanov u konsiderua një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit Vladimir Putin, pasi të dy njiheshin që nga koha kur shërbenin në strukturat e sigurisë të ish-Bashkimit Sovjetik.
Vdekja e tij shënon humbjen e një prej figurave më të rëndësishme të elitës politike dhe të sigurisë ruse.
