Legjenda e basketbollit Adelina Çipa ka uruar 31 vjetorin e gazetës kombëtare “Bota sot”,. Ish reprezentuesja e Kosovës dhe veprimtare e dalluar e basketbollit po ashtu lojtarja më e mirë në gjeneratën e sakrificës në vitet e 90-ta dhe të pas luftës, tha se “Bota sot” ka luajtur rol të madh në promovimin e sportit të Kosovës. “Plotë 31 vite kaluan sa qelë e mbyllë sytë.
Por gjatë këtyre 31 viteve ndodhën shumë ngjarje për kombin tonë si në sfera tjera të jetës ashtu edhe në sport. Që nga viti 1995 e deri tani unë si basketbolliste dhe bashkëlojtaret e mija te KB Bashkimi ishim pjesë e mëvetësimit të sportit të Kosovës, pastaj vazhduam me vendosjen e themelit të sportit shtetëror në Kosovën e pasluftës dhe ky rrugëtim vazhdon sot me përfaqësim në gara ndërkombëtare.
E gjithë kjo punë e vullnetshme për plotë 3 dekada e më shumë, në vazhdimësi dhe në mënyrë profesionale u përcoll dhe u përkrah nga ‘Bota sot’, një nga mediumet e pakta të periudhës së rezistencës, e që vazhdon të jetë pjesë e sukseseve të sportistëve kosovar edhe në ditët e sotme.
Duke ju falënderuar për hapësirën e dhënë që t’ju drejtohem, shfrytëzoj rastin t’ju uroj 31 vjetorin dhe njëherit t’ju dëshiroj suksese në vazhdimësi! Përshëndetje basketbollistike”, ka uruar Çipa.