​Izolimi me burg i Sami Pejës dhe shokëve të tij të burgut në vitin 1963

0%

Izolimi me burg i Sami Pejës dhe shokëve të tij të burgut në vitin 1963 Postim nga Blerim Peja Më , Nikita Hrushqov, Kryetar i BRSS, zhvilloi një vizitë zyrtare në Jugosllavi. Pak ditë para ardhjes së tij, aparati i sigurimit shtetëror – UDB – në Pejë urdhëroi izolimin e të gjithë ish-të burgosurve politikë. Atëherë isha 14 vjeç.

Në mbrëmjen e 19 gushtit 1963 kishim një mysafir në shtëpi, i cili qëndroi deri rreth orës . Unë dhe baba e përcollëm deri te porta e oborrit. Sapo u largua mysafiri, babai vuri re një makinë milicie të ndalur matanë rrugës. Nga ajo zbriti një burrë. Ishte Vuja Slaviqi, shefi i UDB-së për Pejë. Samiu e njohu menjëherë. Vuja u afrua dhe i kërkoi Samiut të shkonte në milici me te.

Samiu i kërkoi leje që të merrte setrën. UDB-ashi pranoi. U kthyem në shtëpi. Samiu e mori setrën dhe i tha nënës se kishte ardhur Vuja Slaviqi dhe se duhej të shkonte në milici. — Shpresoj se nuk do të më mbajnë gjatë, — tha, me një qetësi të shtirur. Nëna përpiqej të më qetësonte: edhe herë të tjera e kanë marrë dhe pas tre a katër orësh e kanë liruar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por kësaj here brenga ishte më e madhe. Vetë ardhja e Vujës personalisht ishte shenjë e keqe. As unë, as nëna nuk fjetëm atë natë. Prisnim kthimin e Samiut. Gjyshi nuk ndodhej në shtëpi; ai kishte shkuar në Paraqin, në fabrikën e tekstilit, për të blerë shpata tezgjahu.

Pas orës të mëngjesit, sapo filloi të zbardh dita, mora biçikletën dhe shkova drejt stacionit të milicisë, me shpresë se do ta takoja babën duke u kthyer. Rrugët ishin bosh. Te dera e milicisë qëndronte vetëm një milic kujdestar. U ktheva në shtëpi pa asnjë lajm. Rreth orës 11 paradite, në oborr hyri Myhedin Hadri, shok burgu i Samiut.

Më pa dhe, si gjithmonë, më foli me shaka: — Sot do ta mund babën tënd në shah! Ia ktheva me zë të ulët: — Baba nuk është këtu… mbrëmë e ka marrë milicia. Fytyra iu ngrys. U kthye pa thënë asnjë fjalë. E shoqërova deri te dera e oborrit. E pashë duke ecur ngadalë, i menduar, në drejtim të mullirit të Bakraqëve. Pa kaluar as pesëdhjetë metra, një makinë milicie ndaloi pranë tij.

Dy milicë zbritën, i thanë diçka dhe e futën në makinë. Edhe ai u burgos. Myhedini ishte vëllai i Ali Hadri, arsimtar i gjuhës shqipe në Tetovë. Pushimet verore i kalonte në Pejë. Ka qenë nxënës i Normales së Elbasanit dhe pjesëmarrës në LNÇ, kishte vuajtur edhe burgun e Goli Otokut. Ishte njeri i urtë, me humor të hollë, mik i përditshëm i shtëpisë sonë gjatë pushimeve verore.

Dy ditë pas burgosjes së Samiut, një i njohur erdhi në shtëpi dhe tha: — Samiu po kërkon një batanije. Nëna e bëri gati menjëherë batanijen dhe ia dha personit që shprehu kërkesën. Kërkesa për batanije ishte shenjë e qartë: kjo nuk do të ishte një ndalim i shkurtër. U burgosën edhe Qazim Berisha dhe Enver Berisha, si dhe të tjerë, emrat e të cilëve sot nuk i mbaj mend.

Në Beograd, në stacionin e trenit, ishte arrestuar edhe Ali Boletini. Një ditë pas arrestimit të babait, në kafenenë e Hotel Korzo, milicia arrestoi Musa Xhukën , shokun e babait. Ai punonte në shank. Kur milicët i thanë se ishte i arrestuar, ai iu përgjigj me ironi: — A po më arrestoni vërtet, a veç po bëni shaka? E morën para syve të klientëve. Musa Gjukës i kishte vdekur gruaja.

Pas burgosjes së tij, në shtëpi, pa përkujdesje kishin mbetur vajza e tij Eminja 14 vjeçare dhe tre vëllezërit e saj të vegjël: Shkëlzeni pesë vjeç, Skënderi katër vjeç dhe Enveri tre vjeç. Një ditë pas burgosjes së babait, vajza e Musa Xhukës, merr vëllezërit e vegjël dhe shkon në stacionin e milicisë. Hyn në hollin e milicisë, vet e katërta.

Nëpër holl qarkullonin shumë milicë; kishte edhe qytetarë të tjerë që kalonin atypari ose prisnin për rregullimin e ndonjë dokumenti personal. Duke iu drejtuar një milici që e sheh aty, vajza kërkon lirimin e babait të saj. Milici përpiqet ta bindë të shkojë në shtëpi, por ajo këmbëngul në kërkesën e saj. Vijnë edhe disa milicë të tjerë për ta bindur të kthehet në shtëpi.

Të gjithëve, pa e përmbajtur vajin, u përgjigjet: “Nëna më ka vdekur, babin ma keni burgosur. Nuk dua dhe nuk mund të shkoj në shtëpi pa babin. Unë do të qëndroj këtu, në këtë bankë, me vëllezërit e mi të vegjël, derisa të ma lironi babin. A po e shihni sa të vegjël janë? Edhe unë jam e vogël. Si do të kujdesem për ta?” Milicët tentojnë ta frikësojnë vajzën dhe i bërtasin.

Vëllezërit e saj ia plasin vajit dhe e mbërthejnë motrën në përqafim. Instinktivisht, me trupat e tyre të vegjël behën mburojë e gjallë e së motrës. Motra nuk dorëzohet; edhe ajo i përqafon vëllezërit, shpërthen në vaj, por nuk lëviz nga vendi. Ulet bashkë me vëllezërit në bankën e dedikuar për qytetarët që qëndronin në holl.

Milicët, të pafuqishëm përballë një qëndrimi kaq këmbëngulës, me gjasë kërkojnë ndihmën e shefit të tyre. Siç duket, iu sugjerohet ta lënë vajzën aty, duke menduar se ajo do të lodhet dhe do të kthehet vetë në shtëpi. Milicët e lënë vajzën dhe vazhdojnë me detyrat që kishin marrë. Vajza qëndron në bankë, në hollin e milicisë, deri në muzg. Në muzg kthehet në shtëpi.

Të nesërmen shkon përsëri në hollin e milicisë, bashkë me vëllezërit, dhe sërish rrinë aty deri në mbrëmje. Me vete ajo mbante një strajcë me ushqim për vete dhe për vëllezërit. Ky veprim përsëritet disa ditë radhazi. Drama që shkaktonte vajza 14-vjeçare, së bashku me vëllezërit e saj, në hollin e milicisë nuk mbeti pa jehonë në qytetin e Pejës.

Në qytet fillon të flitet me admirim dhe dhembshuri për qëndrimin e vajzës së zgjuar dhe guximtare. UDB-ja, e cila me përpikëri përcillte atë që përflitej në qytet e pa se vajza, me veprimet e saja, po e komprometonte pushtetin dhe e liron Musa Gjukën. Vajza triumfon. Ajo del fitimtare.

UDB-ja, në vazhdën e misionit të vet për persekutimin e shqiptarëve, vepronte në mënyrë tepër jo njerëzore. Ajo kishte burgosur babanë e katër jetimëve.

Shkaku i arrestimit ishte se, ky baba që duhej të kujdesej për fëmijët e tij që kishin mbetur pa nënën e tyre, përbënte rrezik për sigurinë e Hrushqovit, i cili sapo kishte ardhur në vizitë në Jugosllavi dhe kalonte kohën duke shëtitur në rezidencat e shumta dhe tepër luksoze të Titos.

Për t’u rikujtuar, Titoja kishte tren të veçantë , të dedikuar vetëm për udhëtimet e tij dhe për suitën përcjellëse; kishte anije (rezidenca lundruese) që përdorej ekskluzivisht nga ai dhe ata që e shoqëronin; kishte gjithashtu aeroplan të posaçëm . Shumë kohë ai kalonte në vilën e vet shumë luksoze në ishullin Brione të Kroacisë.

Ai jetonte si perandor, dhe pasuria e tij private ishte marramendëse. Lirimi i Musa Xhukës zgjoi shpresën se edhe të burgosurit e tjerë do të liroheshin. Dhe kështu ndodhi. Pas disa ditësh filluan të lirohen edhe të burgosurit e tjerë; në çdo dy ose tri ditë lirohej nga një i burgosur.

Më , në radio u transmetua lajmi se Hrushqovi kishte përfunduar vizitën në Jugosllavi dhe ishte kthyer në Moskë me aeroplan. Në orën të të njëjtës ditë, në shtëpi erdhi edhe Sami Peja. Ai mbante në krah batanijen që i kishim dërguar pas burgosjes. Samiu ishte i izoluari i fundit që u lirua nga izolimi me burg. Nga jetëshkrimi, në përpilim e sipër, i Sami Pejës. B.P.

Burimi: Bota Sot