Ish-hendbollistja e mirënjohur Bellma Beba, e cila prej një kohe jeton dhe vepron në Gjermani, ka uruar 31-vjetorin e gazetës kombëtare “Bota sot”. Beba ka lënë gjurmë të mëdha në hendbollin e Kosovës. Ajo ka luajtur për Kastriotin e Ferizajt dhe Prishtinën, duke fituar nga tre tituj të kampiones së Kosovës me secilin klub.
Vajza nga Gostivari është shpallur dy herë radhazi hendbollistja më e mirë e vitit në Kosovë nga Federata e Hendbollit të Kosovës, ndërsa disa herë ka qenë pjesë e dhjetëshes më të mirë të hendbollisteve. Ajo vlerësoi lart rolin e gazetës “Bota sot” në promovimin e sportit dhe sportistëve shqiptarë, duke theksuar se kjo gazetë nuk i harron as sportistët që jetojnë e veprojnë në mërgatë.
“Uroj 31-vjetorin e gazetës ‘Bota sot’, e cila gjithmonë ka qenë afër sportistëve. Sa isha hendbolliste, për shumë vite në Kosovë, gjithmonë shtjellonte tema interesante për hendbollin, ka qenë e shpejtë dhe e saktë në lajme, duke i trajtuar me një profesionalizëm të lartë. Është gazetë që asnjëherë nuk i harron sportistët edhe në mërgatën shqiptare.
Gazetari Kemajl Goca gjithmonë ka qenë afër hendbollistëve, hendbollisteve dhe sportit, duke raportuar për të arriturat tona. Gazeta ‘Bota sot’ është frymëzim për ne sportistët. Uroj jetëgjatësi me shekuj gazetës ‘Bota sot’, e cila është një zë i fuqishëm i sportit dhe promovon vlerat kombëtare sportive”, k a uruar Beba.
Bellma Beba konsiderohet si një nga qendrat më të mira që ka pasur hendbolli i Kosovës.
