Dolly Parton bëri një rikthim surprizë në qendër të vëmendjes të mërkurën, teksa prezantoi sipërmarrjen e saj më të re në Tennessee, vetëm disa javë pasi kishte folur për problemet e fundit shëndetësore.
Ikona e muzikës country, 80 vjeçe, u shfaq plot buzëqeshje gjatë inaugurimit zyrtar të Dolly’s Tennessean Travel Stop në Cornersville, ku përshëndeti fansat e veshur me një kostum elegant me thekë. Më pas, ajo u ngjit në skenë për të mirëpritur të pranishmit dhe për të ndarë vizionin e saj për ndalesën e re të udhëtimit. “Dyert janë tashmë të hapura dhe nuk mund të isha më krenare.
Pavarësisht nëse po transportoni mallra, po udhëtoni me familjen apo thjesht po kaloni këtej, ne e ndërtuam këtë vend për ju”, tha Parton. Ajo nuk la pa bërë edhe një shaka ndaj zinxhirit rival të ndalesave për udhëtarë, Buc-ee’s, duke thënë me humor: “Jam e sigurt se disa prej jush duan ta dinë pse vendosa të hap një ndalesë për kamionë. Epo, nuk mund t’ua lija kastorëve.”
Kjo paraqitje energjike ishte një nga daljet e para publike të Parton, pasi u detyrua të anulonte rezidencën e planifikuar në Las Vegas në muajin maj, pasi më herët e kishte shtyrë atë në shtator për shkak të disa “sfidave shëndetësore”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ky rikthim vjen pas një periudhe të vështirë për legjendën e muzikës country, e cila humbi bashkëshortin e saj, Carl Thomas Dean. Ai ndërroi jetë në vitin 2025, në moshën 82-vjeçare. Gjatë këtij viti, Parton ka mbajtur një profil relativisht të ulët publik, duke munguar edhe në koncertin e organizuar me rastin e ditëlindjes së saj në Grand Ole Opry në janar.
