Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë thirrje për kujdes në ruajtjen e ushqimeve për shkak të temperaturave të larta. AUV u ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithë operatorëve ekonomik që merren me ushqime. “Në çfarëdo hallke të zinxhirit ushqimorë, prodhim, përpunim, ruajtje, transport, deponim, shpërndarje, tregtim.
Bizneset e gastronomisë qe merren me përgatitjen e ushqimit, përfshirë restorantet, hotelet, sallat e dasmave, marketet, furrat, qebaptoret, fast-food-et dhe subjektet e tjera në kontakt me ushqimin të zbatojnë me përpikëri kërkesat ligjore dhe kushtet sipas standardeve te sigurisë ushqimore.
Në veçanti tani me ngritjen e temperaturave, ruajtja e produkteve ushqimore në temperaturat e përcaktuara me etiketë të produktit. Kontrollimi i rregullt i pajisjeve ftohëse dhe ngrirëse për të siguruar ruajtje të duhur. Zbatim në përpikëri i masave të vetëkontrollit”, thuhet në njoftim.
AUV po ashtu kërkon nga të gjithë qytetarët konsumatorë që të tregojnë kujdes nga momenti i blerjes, transporti i produkteve deri në shtëpi, ruajtja e tyre në kuzhina e deri tek konsumimi. “Secili produkt ushqimorë i cili kërkon kushte specifike të ruajtjes, e ka të deklaruar temperaturën ruajtëse në etiketim.
Produkte të ndjeshme ndaj temperaturave të larta janë produktet me prejardhje shtazore, po kujdesi duhet te ketë edhe ndaj produktet tjera të cilat e kanë të specifikuar ruajtjen ne dekleracion në temperaturë të caktuar. Vetë jetëgjatësia e produktit është e lidhur me kushtet e ruajtjes”, thuhet në njoftim.
AUV thekson se siguria ushqimore është përgjegjësi e përbashkët, andaj secili duhet ta ndjejë vetën përgjegjës për ruajtje të ushqimeve në secilin rast. “Vetëm përmes respektimit të rregullave dhe kujdesit mund të parandalojmë rastet e helmimeve ushqimore dhe të mbrojmë shëndetin e konsumatorëve.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do të intensifikojë kontrollet gjatë periudhës se verës për të mbikëqyrë respektimin e kërkesave ligjore dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Asnjë shkelje nuk do të tolerohet. Shëndeti publik është i varur nga siguria ushqimore, ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt!”, thuhet tutje.
