Rusia pretendon se interceptoi 660 dronë ukrainas në një nga sulmet më të mëdha të luftës

0%

Ukraina ka kryer, natën ndërmjet të enjtes dhe të premtes, sulmin më të madh me dronë ndaj Rusisë, prejse kjo e fundit pati nisur pushtimin e të parës, në shkurt të vitit 2022.

Shteti i Vladimir Putin, e konfirmoi se mbrojtja e vetë ajrore interceptoi (ndaloi) rrebeshin prej 660 dronëve të lëshuar nga shtetit që ka për president Volodymyr Zelenskyn, por nuk bëri me dije se sa fluturake të tilla patën sukses të qëllojnë caqet që i kishin targetuar.

Ministria e Mbrojtjes në Moskë njoftoi të premten se sulmet kishin në shënjestër 12 rajone të Rusisë, si dhe gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia, Detin e Zi dhe Detin Azov Ataku më i madh ukrainas gjatë vitit të kaluar përfshinte 556 dronë dhe ndodhi më 17 maj, raporton AP, përcjellë KosovaPress.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e luftës së konsumimit me Rusinë, Ukraina prej muajsh po përdor dronë me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva prapa vijës së frontit dhe thellë brenda territorit rus, përfshirë objektet e prodhimit të naftës dhe infrastrukturën energjetike.

Sipas zyrtarëve dhe analistëve perëndimorë, kjo fushatë ka dëmtuar furnizimin rus me karburant dhe logjistikën ushtarake, duke ngadalësuar përparimin e forcave ruse në fushëbetejë dhe duke rritur presionin mbi presidentin rus Vladimir Putin. Raportet e para për dëmet e shkaktuara nga sulmi i natës në Rusi ofruan pak informacion.

Ministria ruse e Mbrojtjes zakonisht nuk bën të ditur objektivat e goditura nga dronët ukrainas dhe nuk publikon hollësi për dëmet.

Sulmet e suksesshme nxisin moralin në Ukrainë Sulmi masiv ndodhi vetëm pak orë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi në rrjetin X se kishte urdhëruar “një operacion ndikimi 40-ditor”, që besohet të nënkuptojë përshkallëzim të sulmeve, me synimin për “ta detyruar Rusinë t’i japë fund luftës”, pasi përpjekjet amerikane për paqe gjatë vitit të kaluar nuk kanë sjellë përparim.

Goditjet e suksesshme, sipas tij, përfshirë ato ndaj objektivave në Moskë dhe Shën Petersburg, kanë rritur moralin në Ukrainë.

Zelensky tha se gjatë samitit të fundit të G7-ës ka marrë premtime të tjera për mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, dhe shtoi se kjo ndihmë do ta ndihmojë vendin e tij të shtojë presionin ndaj Putinit për ta ulur atë në tryezën e negociatave.

Një tjetër moment kyç për forcimin e kapaciteteve ushtarake të Ukrainës mund të jetë samiti i NATO-s që do të mbahet muajin e ardhshëm shkruan AP.

Raportohet për goditje ndaj një fabrike kimike ruse Në rajonin e Tulës, në jug të Moskës, një shtëpi private u dëmtua nga sulmi dhe një grua mbeti e plagosur, njoftoi guvernatori Dmitry Milyaev në një deklaratë të publikuar në internet, teksa nisën të dalin raportet e para për dëmet.

Ai bëri të ditur gjithashtu se ishte dëmtuar një linjë e energjisë elektrike dhe një objekt industrial në qytetin Novomoskovsk. Media e pavarur ruse Astra raportoi se një fabrikë kimike dhe një hidrocentral në Novomoskovsk ishin goditur dhe kishin marrë flakë. Associated Press nuk arriti ta verifikonte në mënyrë të pavarur këtë informacion, ndërsa nuk pati asnjë konfirmim zyrtar.

Edhe kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, njoftoi se 47 dronë ukrainas u rrëzuan teksa po i afroheshin kryeqytetit rus. Ai nuk raportoi për viktima apo dëme materiale.

Ukraina: Dy civilë u vranë nga sulmet ruse Dy persona u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën nga sulmet ruse në rajonin verilindor të Kharkivit gjatë 24 orëve të fundit, tha të premten kreu i administratës rajonale, Oleh Syniehubov.

Sipas tij, forcat ruse goditën qytetin e Kharkivit dhe 16 vendbanime të tjera në rajon, duke përdorur bomba të drejtuara nga ajri dhe dronë të llojeve të ndryshme. Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se gjatë natës arritën të neutralizonin 174 nga 189 dronët e lëshuar nga Rusia.

Megjithatë, katër nga shtatë raketat balistike Iskander-M arritën të depërtonin përmes mbrojtjes ajrore dhe goditën lokacione të ndryshme. Zyrtarët ukrainas raportuan dëme në objekte energjetike, banesa dhe infrastrukturë tjetër civile në kryeqytetin Kiev, në rajonin jugor të Odesës dhe në rajonin verilindor të Sumyt.

Burimi: Bota Sot