Raporti i kryetarit të komunës së Gjilanit ndikoi në bllokimin e foltores së Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku gjatë mbledhjes së , partitë opozitare po kërkonin që të hynte në rend të ditës ky raport.
Fillimisht ky raport u kërkua që të futej në rend të ditës nga asamblistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gresa Hoti, njëjtë u kërkua edhe nga anëtarë të Partisë Demokratike të cilët më pas shkuan te foltorja e kuvendit për të pamundësuar vijimin e seancës.
Bujar Nevzati nga PDK pas vijimit të seancës me pikat e tjera të rendit të ditës doli në foltore të kuvendit ku tha se seanca nuk mund të vazhdoj. Poashtu ai tha se po bëhet hera e katërt që kjo pikë është duke u hequr nga rendi i ditës. “Dolëm këtu me ju tregu që nuk mundeni me vazhdu seancën.
Për arsye se nuk është futur në rend të ditës, raporti i punës së kryetarit për vitin 2025, kanë kaluar 6 muaj dhe…kërkoj me ndërpre seancën menjëherë” – tha Bujar Nevzati nga PDK.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Krenare Latifi Kqiku, u dha hapësirë të gjithë të asamblistëve të propozonin pika të rendit të ditës mirëpo në pamundësi të marrjes së votave të mjaftueshme nuk u arrit që të kaloj në rend të ditës raporti i punës së kryetarit për vitin 2025.
“Po du me iu paralajmëruar fillimisht që sa i përket raportit të kryetarit u kërkua prej dy partive politike, do të jetë në seancën e radhës pasi është planifikuar për seancën e radhës” – tha Krenari Latifi Kqiku, kryesuese e KK të Gjilanit.
Fillimisht asambleistja Gresa Hoti në emër të LDK-së kërkoi që në rend të ditës të futej raportimi i punës së kryetarit për vitin 2025, për shkak se në korrik do vij raporti 6 mujor i vitit 2026.
“Në emër të LDK-së propozojmë që të futet në rend dite raportimi i punës 1 vjeçare të kryetarit për vitin 2025 pasi që nuk ka kuptim të shtyhet për shkak se në muajin e ardhshëm vjen raporti 6 mujor për vitin 2026” – tha Gresa Hoti, asambleiste e LDK-së, në KK të Gjilanit.
Kështu në pamundësi të vazhdimit të seancës pasi asamblistët e PDK-së bllokuan foltoren, kryesuesja e KK të Gjilanit i mbylli punimet e asaj seance duke shtyrë disa pika për mbledhjen e radhës. Për këtë rast shpejt ka reaguar kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili i quajti “uzurpatorët bllokues të dhunshëm”, asamblistët e PDK-së të cilët shkaktuan anulimin e seancës.
“Tërheqja me forcë e mikrofonit dhe mjeteve të punës, si dhe skena ku katër burra ushtrojnë presion ndaj një gruaje të vetme, Kryesueses së Kuvendit të Komunës, Krenare Latifi Kqiku, janë të papranueshme në çdo standard demokratik. Këto veprime nuk përfaqësojnë debat politik, por tentativë për ta zëvendësuar fjalën me forcën” – tha Alban Hyseni në një postim në Facebook.
Ai tha se qytetarët e Gjilanit nuk na kanë zgjedhur për të parë bllokada e dhunë por na kanë zgjedhur për të marrë vendime, për të punuar dhe për t’u shërbyer atyre. Ndërsa shtoi se institucionet nuk do t’i dorëzohen uzurpatorëve dhe se puna për Gjilanin do të vazhdojë me vendosmëri, në respekt të ligjit, demokracisë dhe dinjitetit të çdo përfaqësuesi të zgjedhur.
Sipas nenit 58 të ligjit për Vetqeverisje Lokale, kryetari raporton para kuvendit të komunës për situatën ekonomiko-financiare të komunës dhe për zbatimin e planeve investuese të komunës, së paku njëherë në gjashtë muaj apo kurdoherë që kërkohet nga kuvendi i komunës.
Mirëpo raportimi i kryetarit duhet të futet në rendin e ditës ku takimin i kuvendit të komunës caktohet nga kryesuesi i kuvendit të komunës në marrëveshje me kryetarin e komunës.
Anëtari i kuvendit të komunës mund të kërkojë shtimin e një pikë në rendin e ditës gjatë seancës së rregullt të kuvendit të komunës, nëse çështja që kërkohet të përfshihet në rend të ditës është çështje urgjente me rëndësi publike, por kërkesa e tillë mund të miratohet apo refuzohet me votën e shumicës.
Ndërsa bazuar në statutin e Komunës së Gjilanit parashihet që Kryetari i Komunës në konsultim me Komitetin për Politikë dhe Financa, duhet të sigurohet që raporti vjetor t’i paraqitet kuvendit të komunës ashtu siç kërkohet me ligj.
