Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur se punimet në kyçjen e Mazgitit po vazhdojnë me intensitet të lartë, me qëllim stabilizimin e situatës dhe garantimin e qarkullimit të sigurt për qytetarët.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka theksuar se gjendja në këtë segment rrugor është adresuar më herët edhe publikisht, pasi rruga është rehabilituar në vitin 2023 dhe është intervenuar sërish në vitin 2025, por megjithatë ka pësuar degradim të ri.
Sipas tij, dyshimet e para tregojnë se dëmtimet mund të jenë shkaktuar nga depërtimi i ujërave nën trupin e rrugës, në zonën ku kalojnë gypat e ujësjellësit të KRU “Prishtina”. “Me të drejtë është ngritur si çështje publike gjendja në këtë segment rrugor, pasi i njëjti është rehabilituar në vitin 2023 dhe më pas është intervenuar edhe në vitin 2025.
Fatkeqësisht, segmenti ka degraduar përsëri”, ka deklaruar Basha. Ai ka bërë të ditur se aktualisht po analizohet situata në bashkëpunim me KRU “Prishtina”, me qëllim identifikimin e shkakut të saktë dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme që parandalon dëmtimet e mëtejshme.
“Po e analizojmë situatën dhe do të koordinohemi me KRU Prishtina për ta adresuar në mënyrë përfundimtare shkakun, në mënyrë që të shmangen dëmtimet e reja në të ardhmen”, ka shtuar ministri në detyrë.
Megjithatë, Basha theksoi se për shkak të rëndësisë së këtij segmenti për qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve, është ndërmarrë një ndërhyrje e përkohshme për të mundësuar lëvizjen e sigurt deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, punimet do të vazhdojnë deri në stabilizimin e plotë të situatës dhe sigurimin e një zgjidhjeje afatgjatë për këtë nyje rrugore.
