Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në Komunën e Junikut janë dhënë paga për persona që nuk kanë ofruar shërbime dhe nuk janë evidentuar në regjistrat e vijueshmërisë në punë. Sipas auditorit, kjo situatë ka ardhur si pasojë e menaxhimit të dobët të procesit të transferimit.
“Nga testimi ka rezultuar se Komuna e Junikut, kishte paguar paga për tri (3) zjarrëfikës dhe katër (4) pylltarë të cilët nuk kanë ofruar shërbim për komunën.”- thuhet në gjetje të raportit. Sipas zyrtarëve të komunës këtyre punonjëseve paga iu është paguar nga komuna, mirëpo ata nuk janë evidentuar në regjistrin e vijueshmërisë në punë të komunës.
Rrjedhimisht ata nuk janë evidentuar në regjistrat e komunës për vijueshmërinë në punë dhe as nuk kanë bërë kërkesa për pushim, shkruan në raportin e ZKA-së. Auditori vlerëson se kjo ka ndodhur si rezultat i mosmenaxhimit të duhur të vendimit për transferin e këtyre kategorive të punonjësve, nga niveli qendror.
Dobësitë në transferim dhe evidentim, sipas ZKA-së, shkaktojnë pagesa pa shërbim dhe pengojnë rekrutimin e punonjësve. “Dobësitë në transferin e punonjësve nga një institucion në tjetrin, mund të ndikojnë që pagesa e pagave dhe kompenzimeve të tjera të bëhen pa e marr shërbimin për të cilin janë angazhuar.
Mos evidentimi i punonjësve në regjistrin e vijueshmërisë në punë rezulton me pagesë të pagave pa ofruar shërbime në njërën anë, ndërsa në anën tjetër e pengon komunën që të rekrutojë punonjës për vendet e punës nga të cilat nuk merr shërbime.”- thuhet në raport. Komuna e Junikut është pajtuar me gjetjen e raportit.
Për më tepër, nëpërmjet letër konfimimit [] e ka konfirmuar pranimin e draft raportit për auditimin e pasqyrave financiare vjetore për vitin 2025, dhe është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet, pa ndonjë koment në përmbajtjen e raportit. Komuna e Junikut ka marrë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare vjetore.
Ky raport ka rezultuar me 4 rekomandime, nga të cilat 2 janë të reja dhe 2 të përsëritura. Raporti i auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2024 ka rezultuar me 6 rekomandime. Deri ne fund të auditimit të realizuar nga ZKA për vitin 2025 katër rekomandime janë zbatuar, 2 rekomandime ende nuk janë zbatuar.
Ndryshe, Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se për vitin 2025 ka kryer 133 auditime. Në një konferencë të mëhershme për media, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka njoftuar se 80 raste janë dërguar në prokurori gjatë vitit 2025. Raportin e plotë të auditimit për vitin 2025 të Komunës e Junikut mund ta gjeni KËTU .
