Alarm për trendet e drogës, ulet mosha e përdoruesve e rritet numri i atyre që marrin kokainë

0%

Shpërndaje në: Si shqetësuese janë cilësuar trendët e përdorimit të substancave narkotike në Kosovë, në tryezën e diskutimit të organizuar në Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm. Si problemet më të mëdha në këtë tryezë janë paraqitur përhapja e përdorimit të kokainës si dhe ulja e moshës së përdoruesve të substancave narkotike.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Labyrinth”, Safet Blakaj, ka thënë se shqetësim i madh mbetet përhapja e shpejtë e përdorimit të kokainës dhe e variantit të saj “krak-kokainë”, e cila, sipas tij, krijon varësi të shpejtë dhe shoqërohet me rritje të agresivitetit.

“Po na shqetëson shumë përhapja e shpejtë e përdorimit të kokainës, edhe një variant i saj, krak-kokainë, e cila shkakton varësi shumë të shpejtë, por edhe rrit agresivitetin tek personat që e përdorin”, ka deklaruar Blakaj, raporton KosovaPress. Ai gjithashtu ka theksuar se mosha e përdoruesve të kokainës ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Para katër viteve, mosha e personave që paraqiteshin për shërbime ka qenë 45 deri në 55 vjeç. Vitin e kaluar ka rënë në 25 deri në 35 vjeç, ndërsa tashmë kemi probleme me përdorimin e kokainës edhe tek personat nën moshë”, është shprehur ai.

Sipas Blakajt, marihuana vazhdon të jetë substanca më e përdorur në Kosovë, ndërsa gjatë sezonit veror shtohet përdorimi i ekstazisë dhe i drogave sintetike si amfetamina dhe metamfetamina. Në këtë tryezë togeri i Policisë së Kosovës, Faruk Bunjaku, ka thënë se plani operativ “Siguria në shkolla” ka ndikuar në luftimin e dukurive negative.

“Policë në rroba civile janë prezentë në dhe përreth shkollave, duke komunikuar vazhdimisht me stafin e shkollave dhe duke siguruar një ambient më të mirë për nxënësit”, ka deklaruar Bunjaku. Ai ka shtuar se marihuana mbetet droga më e përhapur në Kosovë, ndërsa sipas tij, numri i përdoruesve të kokainës po shënon rritje të madhe.

Në aktivitet ka marr pjesë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila është zotuar se do ta adresojë së shpejti çështjen që Kosova brenda një kohe të shkurtër ta ketë një qendër të rehabilitimit, që do të një qendër profesionale ku trajtohen personat që janë të varur nga substancat narkotike.

“Jam shumë optimiste që në të ardhmen e afërt do ta kemi një qendër të tillë rehabilituese, sepse me problemet me të cilat përballemi, është për mua e papranueshme që nuk e kemi ende një qendër të tillë, por sipas zotimeve që ne kemi marrë, kjo qendër do të adresohet”, është shprehur Haxhiu.

Burimi: Koha