Rizvanolli: Kosova nuk ka refuzuar gazin amerikan, por ka zgjedhur zgjidhje më praktike dhe ekonomike

0%

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova nuk ka zgjedhur importin e energjisë nga shtetet e rajonit në vend të prodhimit vendor apo të gazit të lëngëzuar amerikan (LNG), por se strategjia energjetike e vendit bazohet në shfrytëzimin e thëngjillit dhe burimeve të ripërtëritshme vendore.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rizvanolli hodhi poshtë pretendimet se Qeveria e Kosovës është kundër importit të gazit të lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është kundër gazit të lëngëzuar nga SHBA (LNG), siç po thuhet.

Ne qysh më 2022 kemi nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Shqipërinë me synim bashkëpunimin me termocentralin e Vlorës me energji”, deklaroi ajo. Sipas ministres në detyrë, bashkëpunimi me Shqipërinë është konsideruar si një zgjidhje më praktike dhe ekonomikisht më e favorshme sesa ndërtimi i një infrastrukture të re të gazit në Kosovë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Në vend të ndërtimit të gazsjellësit dhe infrastrukturës përcjellëse të gazit, që merr kohë dhe ka kosto të lartë, ne mund të importojmë LNG-në përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje dhe ta transmetojmë atë përmes linjës së interkoneksionit 400 kV, të cilën e kemi të gatshme sot dhe nuk kërkon asnjë cent investim shtesë”, u shpreh Rizvanolli.

Ajo theksoi se kjo qasje synon të sigurojë furnizim më efikas me energji, duke shfrytëzuar infrastrukturën ekzistuese dhe duke shmangur investimet e mëdha në ndërtimin e një rrjeti të ri të gazit.

Burimi: Telegrafi