Tentativat e Ramës për të manipuluar me amendamentin e PE, reagon Bardhi

0%

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke theksuar se eurodeputetët kanë mbështetur kërkesat e protestuesve për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Sipas Bardhit, Parlamenti Europian ka kërkuar shfuqizimin e dispozitave të kundërshtuara të ligjit për zonat e mbrojtura, duke i konsideruar ato të papajtueshme me standardet europiane dhe me detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të procesit të integrimit. Ai nënvizoi se amendamenti i miratuar në raportin për Shqipërinë shpreh shqetësim të thellë për zhvillimet në zonën e mbrojtur të Vjosa-Narta dhe pasojat që mund të sjellin ndryshimet ligjore për mjedisin dhe biodiversitetin. Po ashtu, raporti evidenton se Parlamenti Europian po ndjek me vëmendje protestat paqësore që po zhvillohen në vend dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të vendosin një moratorium të menjëhershëm për lejet e reja, ndërtimet dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura deri në rishikimin e plotë të ligjit. Bardhi theksoi se eurodeputetët kërkojnë që çdo projekt në këto zona t’i nënshtrohet vlerësimeve të plota të ndikimit në mjedis, sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe me përfshirjen e komuniteteve lokale, ekspertëve dhe organizatave të shoqërisë civile. REAGIMI Parlamenti Evropian flet me një zë të unifikuar me qytetarët shqiptarë që protestojnë prej ditësh: të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27. Por Edi Rama, që duket se ka humbur edhe sensin e të kuptuarit, bën sikur nuk di të lexojë. Amendamenti shtesë i miratuar sot nga Parlamenti Evropian në Raportin për Shqipërinë: * shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlera të njohura ekologjike; * shpreh se po ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; * u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; dhe * thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile. Tani Edi Rama ka vetëm një detyrë: të dëgjojë zërin e eurodeputetëve dhe të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Projektligji është depozituar prej nesh në Kuvend prej një muaji dhe pret votën e deputetëve.

Burimi: Bota Sot