Një dekadë pas BREXIT-it, kryeministri i ri britanik dhe sfidat në raport me BE-në

0%

Nga: BBC Përktheu:

Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Në shtatë po arrin numri i kryeministrave britanikë që janë ndërruar gjatë dekadës pas votimit për BREXIT-in, pasi Sir Keir Starmer njoftoi dorëheqjen e tij të hënën e kësaj jave.

Dhe debati i tensionuar, që duket sikur përsëritet vazhdimisht, mbi atë se deri në çfarë mase Britania duhet të afrohet sërish ekonomikisht me Brukselin, është rikthyer fuqishëm në agjendën e politikës së brendshme të Mbretërisë së Bashkuar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Me kuajt e tij me ngjyrë të artë, të pikturuar me stil nostalgjik, dhe me muzikën melankolike franceze që dëgjohet ndërsa rrotullohet, lodra me kuaj e Shën Pjetrit, pranë kishës së nderuar të Sacré-Cœur, është një nga atraksionet më të dashura për turistët në Paris.

Por kohët e fundit, ndërsa e shikon lodrën të rrotullohet nën tingujt romantikë francezë, ai të kujton më shumë se çdo gjë tjetër BREXIT-in. Kanë kaluar 10 vjet që kur Mbretëria e Bashkuar votoi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Pothuajse menjëherë, nga këndvështrimi i BE-së, Britania u kthye brenda vetes, duke hyrë në vite krizash politike, ndërsa vendi u përça, u përplas me vetveten dhe vazhdoi të sillej në rreth vicioz, jo shumë ndryshe nga lodra rrotulluse. Dhe tani, ja ku ndodhet përsëri.

Shtatë kryeministra britanikë po ndërrohen gjatë kësaj dekade pas votimit për BREXIT-in, pasi Sir Keir Starmer njoftoi dorëheqjen e tij të hënën e kësaj jave.

Dhe debati i tensionuar, që duket sikur përsëritet vazhdimisht, mbi atë se deri në çfarë mase Britania duhet të afrohet sërish ekonomikisht me Brukselin, është rikthyer fuqishëm në agjendën e politikës së brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, i nxitur nga qeveria laburiste e Starmerit.

Të tronditur një dekadë më parë nga ajo që dukej si një shpërbërje sociale dhe politike pas votimit të Britanisë për t’u larguar (Parlamenti britanik tradicionalisht konsiderohej institucioni më i qëndrueshëm dhe më i respektuar në Evropë), partnerët evropianë thonë se tashmë janë mësuar me turbulencat që përfaqëson politika moderne britanike.

Sinqerisht, nëse shikoni Francën dhe Gjermaninë, dy lojtarët kryesorë të BE-së, edhe skena e tyre politike e brendshme vështirë se mund të përshkruhet si një det i qetë.

Por a nuk e pengon paqëndrueshmëria politike britanike rundin e ri të negociatave me BE-në, të nisura nga Starmeri me qëllimin e deklaruar për të reduktuar burokracinë e pas-BREXIT-it dhe për të nxitur ekonominë e dobësuar britanike?

Brukseli supozon se këto bisedime do të vazhdojnë edhe nën pasardhësin e tij, megjithëse të hënën deklaroi se po shqyrtonte nëse duhet të vazhdojë me samitin e planifikuar me qeverinë e Starmerit në fund të korrikut. Michel Barnier ishte negociatori kryesor i BE-së gjatë viteve të bisedimeve shpesh të hidhura për BREXIT-in.

Sot ai mbetet një figurë me peshë në politikën franceze – deputet i qendrës së djathtë, i cili për një periudhë të shkurtër ishte kryeministër dy vjet më parë dhe pritet të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale franceze. BBC-ja ka biseduar me Barnierin në zyrën e tij modeste pranë parlamentit francez.

Qëndrimi i tij është në thelb se BE-ja duhet të bashkëpunojë me këdo që Britania e zgjedh ta përfaqësojë. “Duhet ta trajtojmë këtë situatë dhe ta respektojmë”, thotë ai. “Do të ketë një kryeministër të ri britanik dhe ne do të punojmë me të. Shikoni çfarë ndodhi gjatë negociatave për BREXIT-in. Brenda katër vjetësh unë u përballa me katër negociatorë të ndryshëm britanikë.

Edhe kjo ishte një situatë paqëndrueshmërie, por ne… e menaxhuam”, shton ai. Gjatë atyre viteve të gjata negociatash shpesh konfliktuale, Barnier u bë i njohur mes gazetarëve sepse kishte porositur një filxhan kafeje me mbishkrimin: “Keep Calm and Carry on Negotiating” (“Qëndroni të qetë dhe vazhdoni negociatat”), një lojë fjalësh me sloganin britanik të Luftës së Dytë Botërore “Keep Calm and Carry On”.

Barnier u bë po ashtu i njohur për qëndrimin e tij të palëkundur përballë kërkesave britanike për një “marrëveshje të veçantë” me BE-në.

Dhe, jo ndryshe nga ajo lodra parisiene që rrotullohet, argumentet britanike duket se janë rikthyer përsëri, pasi qeveria laburiste kërkon një afrim shumë më të madh me pjesë të tregut të përbashkët evropian, por pa dërguar shumë para në Bruksel dhe pa pranuar lëvizjen e lirë të punëtorëve të BE-së drejt Britanisë, ku debati mbi emigracionin vazhdon të jetë i ashpër.

Kjo është ajo që Brukseli e quante “zgjedhje e qershive” (cherry-picking) para 10 vjetësh dhe që tha se nuk do ta pranonte. Britania nuk mund të largohej nga klubi dhe njëkohësisht të ruante privilegjet e saj të preferuara.

Kërcënimi ndaj BE-së nga brenda BBC-ja ka raportuar lidhur me të gjitha kthesat dhe zhvillimet e atyre negociatave, por bota përreth ka ndryshuar në mënyrë dramatike që atëherë. Miku më i ngushtë i dikurshëm i Evropës, Shtetet e Bashkuara, është bërë i paparashikueshëm, madje edhe agresiv ndaj aleatëve të saj të supozuar nën drejtimin e Donald Trumpit.

Pastaj është Rusia, e cila po zhvillon një luftë të drejtpërdrejtë në territorin evropian, në Ukrainë, dhe një luftë hibride, përmes dezinformimit, sabotimeve dhe metodave të tjera, në pjesën më të madhe të kontinentit. Dhe kush mund ta harrojë Kinën?

Rryma kryesore politike evropiane beson se BE-ja po përballet edhe me një kërcënim ekzistencial nga brenda, pasi partitë euroskeptike po arrijnë rezultate të larta në shumë vende.

A nuk do të ishte e dobishme për BE-në, në këto rrethana të reja, një bashkëpunim më i ngushtë me Britaninë, ekonominë e dytë më të madhe të Evropës dhe një fuqi ushtarake, pavarësisht problemeve të saj të njohura? Lidhjet më të ngushta në fushën e mbrojtjes tashmë kanë përparuar prej kohësh. Po ekonomia?

Duke folur për BBC-në pak para dorëheqjes së Sir Keir Starmerit, Michel Barnier tha se sipas tij, BE-ja do ta “mirëpriste sinqerisht” çdo kërkesë britanike për marrëdhënie më të afërta. \Ai tha se ende e konsideron vendimin britanik për t’u larguar nga tregu i përbashkët si një situatë “humbje-humbje” për të dyja palët.

Por ai mbetet po aq këmbëngulës sa më parë se tregu i përbashkët është xhevahiri i kurorës së BE-së. Sidomos duke pasur parasysh kohët sfiduese në të cilat ndodhet Evropa, Barnier këmbëngul se Brukseli nuk mund dhe nuk duhet të komprometojë asetet e tij më të rëndësishme për t’i ofruar Britanisë marrëveshje të veçanta.

“Ne jetojmë në një botë shumë më të rrezikshme, më të paqëndrueshme dhe më të brishtë, dhe duhet të ruajmë asetet tona dhe unitetin tonë. Ky është thelbi për ne. Nuk ka agresivitet apo dëshirë hakmarrjeje ndaj Britanisë, por Britania duhet ta kuptojë se nuk do të jetë e mundur të zhbëhet apo dobësohet tregu i përbashkët… Nuk mund ta marrim atë rrezik”, thotë ai.

Më pas Barnier e përshkroi atë që ai e sheh si kërcënimin shtesë ndaj BE-së nga brenda vetë bllokut, duke ngritur paralele me liderin e partisë “Reformo Britaninë” Nigel Farage, i cili para Brexit-it ishte deputet në Parlamentin Evropian. Farage u bë i famshëm për fushatën e tij të gjatë dhe këmbëngulëse që Britania të largohej nga BE-ja.

“Në shumë prej vendeve tona kemi Farage-t tanë, si zonja Le Pen ose zoti Bardella (kandidati presidencial i ‘Tubimit Kombëtar’ nëse Le Pen nuk mund të kandidojë për shkak të akuzave për korrupsion) në Francë, nga e djathta ekstreme”, tha Michel Barnier. “Ka shumë Farage në Evropë që duan të na shkatërrojnë”. Farage ka thënë shpesh se ai e “urren” BE-në, megjithëse e do Evropën.

Ai ka mohuar se qëllimi i tij është shkatërrimi i plotë i Bashkimit Evropian. Çfarë mund të sjellë viti 2027 për BE-në Ajo që shqetëson Michel Barnierin (dhe ai nuk është aspak një zë i vetmuar në qarqet e BE-së) është se nëse Brukseli komprometon rregullat e tij dhe ofron marrëveshje ekonomike tërheqëse për vende joanëtare, si Britania e Madhe, kjo do të forconte partitë euroskeptike që kërkojnë largimin e vendeve të tyre nga BE-ja ose dobësimin e ndjeshëm të rregullave dhe standardeve të përbashkëta që i mbajnë vendet anëtare të lidhura me njëra-tjetrën.

Kjo është pikërisht ajo që ka në mendje Fabrice Leggeri. Ai është deputet në Parlamentin Evropian për partinë e djathtë ekstreme “Tubimi Kombëtar” (RN) të Marine Le Penit dhe është shumë i afërt me udhëheqjen e partisë. “Ne jemi të bindur se viti 2027 do të jetë një vit shumë i rëndësishëm, një pikë kthese, nëse fitojmë zgjedhjet në Francë”, tha ai për BBC-në.

Sondazhet e opinionit tregojnë se partia euroskeptike e Marine Le Penit është më afër se kurrë më parë për të fituar presidencën franceze. Presidenti francez ka ndikim të madh në politikën e jashtme, përfshirë çështjet e BE-së. Duke qenë se Franca, së bashku me Gjermaninë, është një nga vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, kjo mund të ketë ndikim të madh mbi Brukselin.

Leggeri tha se “Tubimi Kombëtar” dëshiron që BE-ja të jetë shumë më e ashpër ndaj emigracionit nga vendet jashtë unionit dhe të zhbëjë një pjesë të madhe të rregulloreve ambicioze mjedisore, të cilat ai i përshkroi si “absurde” dhe të dëmshme për industrinë evropiane. Partia e tij dëshiron gjithashtu të zvogëlojë kontributet e Francës në buxhetin e BE-së.

Ajo ka kundërshtuar prej kohësh dërgimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Në mbarë Evropën, viti 2027 do të jetë një vit zgjedhor shumë i rëndësishëm. Leggeri dhe “Tubimi Kombëtar” shpresojnë që partitë euroskeptike me mendësi të ngjashme të fitojnë shumicën ose role të rëndësishme në qeveritë me koalicione, në fuqi të mëdha të BE-së si Italia, Spanja dhe Polonia, përveç Francës.

“Së bashku kemi mundësinë ta ndryshojmë BE-në nga brenda”, thotë Leggeri. Madje edhe e vetme, Franca mund ta paralizojë BE-në në shumë aspekte. Mjafton të kujtohet se si ish-kryeministri shumë euroskeptik i Hungarisë, Viktor Orban, i një vendi shumë më të vogël, arriti në të kaluarën të bllokonte dhe pengonte vendimet e përbashkëta të BE-së.

“Ne po përgatitemi për të ardhmen”, thotë Leggeri. “Pata nderin ta shoqëroja zotin Bardella në Londër, kur ai u takua me zotin Farage para Krishtlindjeve.

Nëse zoti Farage bëhet kryeministri i ardhshëm britanik dhe nëse Tubimi Kombëtar do të qeverisë Francën vitin e ardhshëm, mund t’ju them se shoh shumë mundësi bashkëpunimi.” BE-ja pas BREXIT-it Fati politik i Nigel Farage po ndiqet me vëmendje në Britani.

Sado që BE-ja do të dëshironte një afrim ekonomik me Britaninë, Brukseli dëshiron të dijë qartë se çfarë kërkon shumica e britanikëve nga marrëdhëniet me BE-në dhe çfarë janë të gatshëm të japin në këmbim. Vetëm atëherë, BE-ja do të shqyrtojë marrëveshje vërtet domethënëse me një kryeministër britanik.

Deri atëherë, përveç vendeve që bëjnë tregti të madhe me Britaninë (si Irlanda, Belgjika dhe Holanda) dhe që për pasojë vuajnë gjithashtu nga burokracia e BREXIT-it, shumica e vendeve thonë se janë të kënaqura me gjendjen aktuale – Marrëveshjen e Tregtisë dhe Bashkëpunimit (TCA) të nënshkruar midis BE-së dhe Britanisë në fund të negociatave pas BREXIT-it.

Sa u përket ndryshimeve brenda vetë BE-së, është interesante se në vitin 2016, pas votës britanike për BREXIT-it, pati shumë parashikime për një “efekt domino”. Italia do të largohej më pas, pastaj Danimarka ose Suedia. Edhe Franca do të largohej. Partitë euroskeptike në rritje kërkonin Frex-it, Swex-it, Italex-it dhe dalje të tjera nga BE-ja. Por kjo nuk ndodhi. Pse?

Sipas deputetit konservator gjerman në Parlamentin Evropian, David McAllister, votuesit evropianë panë Britaninë të zhytur në krizë pas votës për Brex-it, panë negociatat e gjata dhe të vështira me BE-në dhe vendosën se thjesht nuk ia vlente.

Një dekadë pas Brexit-it, një sondazh i ri nga Qendra Kërkimore “Pew” sugjeron se vota që tensionoi rëndë unitetin britanik mund të ketë ndihmuar në afrimin e vendeve të BE-së. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe në shtatë shtete anëtare të BE-së që janë monitoruar vazhdimisht që nga viti 2016, 62% e të anketuarve tani kanë një mendim pozitiv për BE-në, krahasuar me 49% një dekadë më parë.

Armida van Rij nga Qendra për Reforma Evropiane thekson përpjekjet e rigjallëruara të një liste të gjatë vendesh që kërkojnë t’i bashkohen BE-së, dhe askush më këmbëngulës se Ukraina. Në të njëjtën kohë, partitë nacionaliste dhe euroskeptike mbeten të njohura në shumë vende anëtare të BE-së.

Ndërkohë, liderët më tradicionalë evropianë, nga Friedrich Merz në Gjermani te Emmanuel Macron në Francë dhe Donald Tusk në Poloni, duken të rrethuar nga vështirësi politike, madje edhe të dobësuar.

Shumica e evropianëve thonë se besojnë që BE-ja është larg të qenit e përkryer, por veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, kanë ardhur në përfundimin se në një botë të trazuar, ka siguri në numra. Është më mirë të qëndrosh i bashkuar.

Tubimi Kombëtar i Francës, Alternativa për Gjermaninë e Gjermanisë, Partia e Lirisë në Austri dhe të tjera, kanë përshtatur sloganet e tyre për të tërhequr sa më shumë votues. “BREXIT-i si temë tashmë i përket historisë”, thotë Michel Barnier. Por fuqia e mundshme e euroskeptikëve në të ardhmen është ajo që e shqetëson Brukselin. Madje shumë.

Burimi: Koha