Më , në Cyrih të Zvicrës, nisi rrugëtimin gazeta “Bota Sot”. Sot, pas 31 vjetësh, kur kthehem pas në kohë, nuk shoh vetëm historinë e një gazete. Shoh historinë e një beteje të gjatë për fjalën e lirë, për Kosovën, për të vërtetën dhe për dinjitetin e gazetarisë shqiptare. “Bota Sot” nuk lindi në kohë të qeta.
Lindi në një periudhë dramatike, kur Kosova ishte nën pushtimin e egër serb, kur shqiptarët përballeshin me shtypje, dhunë, burgosje, përndjekje, mbyllje të shkollave, largim nga puna dhe me një propagandë shtetërore që përpiqej ta mbyste të vërtetën. Në atë kohë, fjala e lirë nuk ishte luks. Ishte rezistencë. Ishte mision. Ishte përgjegjësi kombëtare.
Këtë përgjegjësi e mori mbi vete “Bota Sot”. Ajo u themelua në mërgim, por zemrën e kishte në Kosovë. U botua në Zvicër, por dhimbjen, shpresën dhe orientimin i kishte te populli shqiptar dhe te e drejta e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci perëndimore. Që nga numri i parë, “Bota Sot” nuk u mendua si gazetë e zakonshme. Nuk u krijua për të mbushur faqe.
Nuk u krijua për t’i shërbyer një pushteti, një klani apo një interesi të ngushtë. Ajo lindi si tribunë kombëtare, si zë i Kosovës dhe si urë mes atdheut dhe mërgatës shqiptare. Në një kohë kur zëri i Kosovës përpiqej të izolohej, “Bota Sot” u bë zëri i saj në diasporë dhe në botën shqiptare. Në gazetarinë botërore është thënë shpesh se pa shtyp të lirë nuk ka shoqëri vërtet të lirë.
Për 31 vjet, “Bota Sot” u përpoq ta mbante këtë parim në anën e së vërtetës, të lirisë dhe të interesit kombëtar. Gazetë kombëtare, jo gazetë e nënshtruar Që nga fillimi, “Bota Sot” zgjodhi një rrugë të qartë: të jetë gazetë kombëtare, e lirë dhe e pavarur. Nuk iu nënshtrua propagandës serbe. Nuk iu nënshtrua as presioneve të mëvonshme politike e parapolitike shqiptare.
Nuk pranoi të bëhej gazetë e heshtjes. Në qendër të saj ishte Kosova. Ishte fjala e lirë. Ishte e vërteta. Ishte orientimi demokratik dhe euroatlantik i shqiptarëve. Për këtë arsye, “Bota Sot” u bë gazetë e dashur për lexuesit, por edhe gazetë e urryer nga ata që nuk e duronin të vërtetën. E sulmuan sepse kishte ndikim. E kërcënuan sepse nuk heshtte.
E goditën sepse nuk pranoi të bëhej pjesë e frikës. Në vitet e okupimit serb, “Bota Sot” u përball me propagandën e Beogradit. Pas luftës, u përball me një rrezik tjetër: me strukturat e errëta që tentuan ta kapnin Kosovën, ta frikësonin shoqërinë dhe ta kontrollonin opinionin publik. Shumë zëra u tërhoqën. Shumë të tjerë zgjodhën kompromisin. Disa heshtën nga frika, disa nga interesi.
“Bota Sot” zgjodhi përballjen. Çmimi i së vërtetës ishte i lartë Në këto 31 vjet, “Bota Sot” nuk ka vetëm histori suksesi, tirazhi, lexueshmërie dhe ndikimi. Ka edhe plagë të thella. Ka gjak. Ka atentate. Ka kërcënime. Ka dhimbje që nuk mbyllen. Gazetarë, publicistë, bashkëpunëtorë dhe zëra të afërt me frymën e “Bota Sot” u kërcënuan, u sulmuan dhe u vranë.
Bardhyl Ajeti, gazetari i guximshëm i “Bota Sot”, u qëllua më dhe ndërroi jetë më 25 qershor të po atij viti. Ai mbetet një nga simbolet më të dhimbshme të çmimit që pagoi fjala e lirë në Kosovën e pasluftës. Bekim Kastrati, gazetar i “Bota Sot”, u vra në një atentat kriminal, duke u bërë pjesë e historisë tragjike të gazetarisë shqiptare.
Por kjo histori dhimbjeje nuk fillon dhe nuk mbaron me ta. Enver Maloku, një nga zërat më të rëndësishëm të informimit dhe të mendimit politik në Kosovë, u vra në atentat terrorist në vitin 1999.
Ai ishte bashkëpunëtor i “Bota Sot” dhe, sipas kujtesës së redaksisë, pikërisht ditën kur u vra kishte dorëzuar shkrimin e radhës në redaksinë e “Bota Sot” në Prishtinë dhe po kthehej për në shtëpi. Edhe Xhemail Mustafa, publicist, këshilltar i presidentit historik Ibrahim Rugova dhe një nga penat më të fuqishme të kohës, u vra në atentat terrorist.
Ai kishte shkruar në “Bota Sot” analiza të forta politike, ndër to edhe shkrimin e njohur “Mallkimi i popullit nga ‘të mallkuarit e popullit’”, botuar në “Bota Sot” më . Për këtë shkrim është thënë shpesh se mund të ketë qenë një nga motivet kryesore të vrasjes së tij, sepse në të ai godiste hapur logjikën e kërcënimit, të linçimit politik dhe të uzurpimit të vullnetit të qytetarëve.
Këto vrasje nuk janë vetëm plagë të familjeve të tyre. Nuk janë vetëm plagë të “Bota Sot”. Janë plagë të Kosovës. Janë plagë të drejtësisë. Janë plagë të demokracisë shqiptare. Ato dëshmojnë se fjala e lirë në Kosovë nuk u sulmua rastësisht. U sulmua sepse kishte fuqi. U sulmua sepse prishte rehatinë e krimit politik. U sulmua sepse denonconte atë që shumëkush donte ta mbulonte me heshtje.
Dhe ajo që e rëndon edhe më shumë këtë histori është fakti se shumë nga këto krime nuk u zbardhën kurrë. Drejtësia heshti. Institucionet heshtën. Politika shpesh heshti. Dhe heshtja, në raste të tilla, nuk është vetëm mungesë fjale. Është pjesë e padrejtësisë. Por “Bota Sot” nuk heshti.
Granata kundër redaksisë në Zürich Një nga dëshmitë më të rënda të çmimit që pagoi “Bota Sot” ishte atentati terrorist kundër redaksisë së gazetës në Zürich, në vitin 2002. Në adresë të redaksisë sonë u dërgua një pako me granatë ruse. Brenda asaj pakoje nuk ishte vetëm një mjet shpërthyes. Ishte një mesazh kriminal: të frikësohej gazeta, të heshtte fjala, të ndalej e vërteta.
Por fati deshi që pakoja të mos shpërthente. Mënyra se si u hap ajo, dhe më pas ndërhyrja e autoriteteve zvicerane, shmangën një tragjedi të madhe. Sipas të dhënave të publikuara, nëse pakoja do të hapej nga pjesa e sipërme, granata do të shpërthente menjëherë dhe do të mund të merrte jetën e shumë personave të pranishëm në redaksi.
Një polic i Policisë Federale të Zvicrës, që ishte marrë me rastin, më tha mua personalisht atëherë: nëse beson në Zot, ju ka ndihmuar Zoti; e nëse jo, keni pasur fat shumë të madh. Ajo fjali më ka mbetur në kujtesë si një nga dëshmitë më të forta se sa afër tragjedisë kishte qenë “Bota Sot”. Për gati 14 vjet, autoritetet zvicerane hetuan pa arritur ta zbardhnin autorin.
Por rasti nuk u harrua. Në fund, përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe analizave të ADN-së, drejtësia zvicerane arriti ta lidhte të dyshuarin Jeton Lleshi/Leshi me pakon e dërguar në adresë të “Bota Sot”. Ky ishte ndër rastet e rralla kur një atentat kundër “Bota Sot” u zbulua. Dhe fakti që u zbulua pas kaq shumë vitesh e bën edhe më të rëndësishëm.
Ky rast kishte edhe një dimension të jashtëzakonshëm juridik. Atentati ndaj “Bota Sot” u zbulua në prag të skadimit të afatit ligjor për ndjekje penale.
Me fjalë të tjera, nëse identifikimi i autorit do të vonohej edhe pak, një akt terrorist kundër një redaksie në Zvicër mund të mbetej pa u ndjekur nga drejtësia, sepse ligji i atëhershëm nuk do ta lejonte më procedimin penal pas kalimit të atij afati.
Sipas vlerësimeve juridike dhe dokumenteve të mëvonshme, ky rast u përmend si një nga arsyet që dëshmuan nevojën për zgjatjen e këtij afati për krime të rënda në Zvicër, nga 15 në 30 vjet.
Kjo e bën edhe më domethënës rastin e “Bota Sot”: një atentat kundër një gazete shqiptare në Zürich u bë dëshmi se krimet e rënda nuk mund të lihen në mëshirën e kohës dhe se drejtësia duhet të ketë mundësi ta ndjekë të vërtetën edhe pas shumë vitesh.
Është domethënëse se për këtë atentat shkruan gjerësisht shumë media zvicerane, ndërsa në hapësirën mediatike shqiptare rasti nuk mori jehonën që meritonte. Kjo heshtje ishte e rëndë. Sepse një granatë kundër “Bota Sot” nuk ishte çështje private e një redaksie. Ishte çështje e lirisë së shtypit, e sigurisë së gazetarëve dhe e dinjitetit të gazetarisë shqiptare. Pse u sulmua “Bota Sot”?
Kjo pyetje duhet bërë edhe sot. “Bota Sot” nuk u sulmua sepse ishte gazetë e dobët. U sulmua sepse ishte e fuqishme. Nuk u kërcënua sepse ishte e parëndësishme. U kërcënua sepse ndikonte. Nuk iu vranë gazetarët sepse shkruanin gjëra të zakonshme. U vranë sepse fjala e tyre i shqetësonte strukturat që donin frikë, heshtje dhe kontroll. “Bota Sot” foli për vrasjet politike.
Foli për kërcënimet ndaj veprimtarëve. Foli për eliminimin e kundërshtarëve. Foli për nëntokën politike. Foli për strukturat që pas luftës tentuan ta privatizonin lirinë e Kosovës dhe ta zëvendësonin demokracinë me frikë. Kjo nuk u fal. Por historia e “Bota Sot” tregon se frika nuk e mund gjithmonë fjalën.
Një shtëpi e madhe e mendimit shqiptar Në faqet e “Bota Sot” kanë shkruar emra të rëndësishëm të mendimit, kulturës, publicistikës dhe gazetarisë shqiptare. Aty kanë kontribuar intelektualë, gazetarë, analistë, shkrimtarë, veprimtarë dhe personalitete që e kuptuan se fjala publike është pjesë e përgjegjësisë kombëtare.
Teki Dervishi, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Abdi Baleta, Skënder dhe Elida Buçpapaj, Emin Azemi, Agim Doçi, Milazim Krasniqi, Melazim Koci, Mero Baze, Gani Mehmetaj dhe shumë të tjerë ishin pjesë e këtij mozaiku të gjerë mendimi. Edhe Ismail Kadare, me praninë e tij publicistike, i dha peshë të veçantë gazetës në një periudhë të rëndësishme. Ky diversitet nuk ishte rastësi.
Ishte filozofi editoriale. “Bota Sot” nuk synoi të krijonte uniformitet mendimi, por hapësirë për debat, analizë, kritikë dhe përgjegjësi. Në kohë kur shumëkush kërkonte bindje të verbër, “Bota Sot” kërkonte mendim të lirë.
Publicistja Elida Buçpapaj, e cila bashkë me Skënder Buçpapajn shkroi për vite të tëra në faqet e “Bota Sot”, e ka përmbledhur fuqinë e gazetës me një vlerësim të veçantë: “Bota Sot” ishte “gazeta më e fuqishme që kishin parë trojet shqiptare në 150 vjet histori të shtypit”. Ky vlerësim nuk është vetëm kompliment emocional. Ai lidhet me një realitet historik.
“Bota Sot” arriti një tirazh, një shpërndarje dhe një ndikim që rrallë mund të krahasohet me ndonjë gazetë tjetër shqiptare. Ajo lexohej në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, në Zvicër, Gjermani, Austri, Skandinavi, Amerikë dhe kudo ku jetonte mërgata shqiptare. Në kohën e saj më të fuqishme, “Bota Sot” nuk ishte vetëm gazetë.
Ishte institucion kombëtar i informimit. Ishte gazeta që hynte në shtëpitë shqiptare, në kafene, në redaksi, në institucione, në familje të mërgimtarëve dhe në çdo hapësirë ku diskutohej fati i Kosovës dhe i kombit shqiptar. Prandaj, kur flitet për historinë e shtypit shqiptar, “Bota Sot” nuk mund të trajtohet si medium i zakonshëm.
Tirazhi, ndikimi dhe pesha e saj në opinionin publik shqiptar mbeten një kapitull i veçantë, të cilin vështirë se mund ta përsërisë ndonjë gazetë tjetër shqiptare në formën klasike të shtypit të shkruar.
Ballina e “Bota Sot”, : Senatorja amerikane Hillary Rodham Clinton gjatë vizitës në redaksinë e “Bota Sot” në New York – një dëshmi e peshës që gazeta kishte fituar në diasporë dhe në arenën ndërkombëtare. Adresë kombëtare dhe ndërkombëtare Pesha e “Bota Sot” nuk matet vetëm me tirazhin dhe lexueshmërinë.
Matet edhe me faktin se redaksitë dhe përfaqësuesit e saj u bënë adresë takimesh për figura të rëndësishme shqiptare dhe ndërkombëtare. Në redaksitë e “Bota Sot” kanë qenë personalitete të mëdha të jetës politike e kombëtare, si presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, si dhe shumë figura të tjera të njohura shqiptare.
Një dëshmi e veçantë e këtij respekti është edhe vizita e senatores amerikane Hillary Rodham Clinton në redaksinë e “Bota Sot” në New York, e pasqyruar në ballinën e gazetës më . Këto nuk ishin vizita të zakonshme protokollare.
Ato tregonin se “Bota Sot” ishte bërë zë serioz i Kosovës, i diasporës shqiptare dhe i çështjes kombëtare në një kohë kur fjala publike kishte peshë politike, diplomatike dhe historike. Nëpërmjet “Bota Sot”, shumë personalitete e kuptonin pulsin e diasporës shqiptare, shqetësimin për Kosovën dhe vendosmërinë e një populli për liri, demokraci dhe pavarësi.
Nga gazeta e shtypur te epoka digjitale Për shumë vite, “Bota Sot” ishte ndër gazetat më të lexuara dhe më të shitura shqiptare në diasporë dhe në Kosovë. Ajo ishte në duart e lexuesve në Zvicër, Gjermani, Austri, Skandinavi, Amerikë, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe kudo ku jetonin shqiptarët. Ajo nuk lexohej vetëm për lajme. Lexohej për qëndrim. Lexohej për orientim.
Lexohej për të kuptuar se çfarë po ndodhte me Kosovën dhe rreth Kosovës. Me kalimin e kohës, si të gjitha mediat serioze, edhe “Bota Sot” u përball me transformimin digjital. Nga gazeta e shtypur, ajo kaloi në platformën online, duke ruajtur lexueshmërinë, ndikimin dhe identitetin e saj.
Sot, në një kohë kur mediat sociale shpesh e zëvendësojnë verifikimin me zhurmë, lajmin me propagandë dhe analizën me manipulim, “Bota Sot” ka ende një mision të rëndësishëm: të mbrojë informacionin, kujtesën, të vërtetën dhe interesin kombëtar. 31 vjet janë histori, por edhe përgjegjësi Tridhjetë e një vjet nuk janë vetëm përvjetor. Janë dëshmi e qëndrueshmërisë.
Janë dëshmi se një gazetë mund të mbijetojë edhe kur sulmohet, edhe kur kërcënohet, edhe kur përpiqen ta heshtin. “Bota Sot” ka kaluar sfida, kriza, ndryshime dhe vështirësi. Si çdo medium i gjallë, ajo ka pasur edhe sprovat e veta. Por një gjë nuk e humbi kurrë: thelbin e saj. Ajo mbeti gazetë e lirisë. Gazetë e Kosovës. Gazetë e diasporës. Gazetë e kujtesës.
Gazetë e së vërtetës që shpesh dhemb, por që nuk mund të zëvendësohet me heshtje. Në këtë 31-vjetor, kujtoj me nderim të gjithë ata që kontribuuan në rrugëtimin e “Bota Sot”: gazetarët, redaktorët, korrespondentët, bashkëpunëtorët, shpërndarësit, lexuesit dhe mbështetësit e saj në çdo periudhë. Me nderim të veçantë kujtoj ata që e paguan me jetë afërsinë me të vërtetën.
Bardhyl Ajeti dhe Bekim Kastrati nuk janë vetëm emra në historinë e “Bota Sot”. Enver Maloku dhe Xhemail Mustafa nuk janë vetëm emra të gazetarisë dhe publicistikës shqiptare. Ata janë dëshmi se fjala e lirë në Kosovë nuk ka qenë kurrë e lehtë. Ata janë kujtesë se gazetaria e vërtetë nuk matet vetëm me lajme, por edhe me guximin për të mos u dorëzuar.
“Bota Sot” vazhdon Në 31-vjetorin e saj, “Bota Sot” nuk ka arsye të shikojë prapa vetëm me nostalgji. Ka arsye të shikojë prapa me krenari, por edhe përpara me përgjegjësi. Kosova dhe shqiptarët kanë ende nevojë për media që nuk frikësohen. Për media që nuk bëhen vegël e pushtetit. Për media që nuk shiten te interesat e errëta.
Për media që nuk e harrojnë historinë dhe nuk e tradhtojnë lexuesin. “Bota Sot” e nisi rrugën në mërgim, por u bë pjesë e historisë kombëtare. E sulmuan, por nuk e ndalën. E kërcënuan, por nuk e heshtën. Ia vranë gazetarët, por nuk ia vranë fjalën. I dërguan granatë në redaksi, por nuk ia shpërthyen misionin.
Prandaj, sot, në 31-vjetorin e saj, “Bota Sot” nuk është vetëm një medium që feston ditëlindjen. Është dëshmi se e vërteta mund të plagoset, mund të kërcënohet, mund të sulmohet, por nuk mund të varroset. Urime 31-vjetorin, “Bota Sot”! Le të vazhdojë të jetë zë i lirë, kujtesë e gjallë dhe mburojë e së vërtetës kombëtare.
