Sot, është mbajtur takim pune i thirrur nga drejtoresha për Mbrojtjen e Mjedisit, Arjeta Beqiri-Hyseni, ku u prezantua menaxhimi i mbeturinave komunale dhe ndarja e përvojave të fituara në Japoni.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Mitrovicës, JICA Alumni Association of Kosova (JAAK) dhe Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), u mbajt prezantimi përfundimtar me temën “Menaxhimi i Mbeturinave të Ngurta Komunale”, me qëllim shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira në fushën e mbrojtjes së mjedisit.
Gjatë këtij takimi, shefi i Sektorit për Mbrojtjen e Mjedisit në Drejtorinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Komunës së Mitrovicës, PhD(c) Bahri Sinani, prezantoi njohuritë, përvojat dhe praktikat profesionale të fituara gjatë qëndrimit dhe trajnimeve të zhvilluara në Japoni, me fokus të veçantë në sistemet moderne të menaxhimit të mbeturinave, organizimin institucional, riciklimin, edukimin mjedisor dhe përfshirjen e komunitetit në ruajtjen e mjedisit.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me modelin japonez të menaxhimit të mbeturinave dhe me mundësitë e aplikimit të praktikave të suksesshme në nivel lokal, duke kontribuar në avancimin e shërbimeve mjedisore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Komuna e Mitrovicës shpreh gatishmëri për bashkëpunim me JICA-n dhe JAAK-un për zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe promovimin e praktikave të avancuara mjedisore.
