Banorë të fshatit Dobroshevc të Drenasit kanë raportuar në adresën e KALLXO.com se çdo ditë po përballen me mungesë të ujit të pijes. Ata thonë se kjo gjendje është tash e një muaj dhe se vetëm dy orë gjatë ditës po kanë furnizim me ujë.
Arjeta Mjeku, zëdhënëse e Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Prishtina” ka konfirmuar për KALLXO.com se furnizimi jo i rregullt gjatë periudhës së fundit është shkaktuar nga niveli i ulët i ujit në kanalin e Ibër-Lepencit.
“Përveç kësaj, infrastruktura e sistemit të pompave, e cila aktualisht mirëmbahet nga Ferronikeli, është në gjendje të rënduar teknike, duke ndikuar drejtpërdrejt në kapacitetet dhe sigurinë e furnizimit me ujë” – tha Mjeku për KALLXO.com. Sipas saj, mirëmbajtja e sistemit të pompimit pritet të kalojë nga Ferronikeli te KRU “Prishtina”.
“KRUP ka planifikuar që në fund të vitit 2026 rehabilitimin e njërës prej pompave kryesore. Pas përfundimit të rehabilitimit, pritet rritje e kapaciteteve pompuese dhe përmirësim i ndjeshëm i furnizimit me ujë për konsumatorët”- sqaroi zëdhënënësja.
Ajo ka bërë të ditur se investime të rëndësishme për funksionalizimin e pompave janë realizuar edhe në Drenas, në lokacionin Xhem Qorri, afër xhamisë. Këto pompa furnizojnë me ujë lagjen Poklek i Ri dhe fshatin Korreticë e Epërme.
