25 qershori i vitit 2005 shënoi humbjen e gazetarit Bardhyl Ajeti, i cili ndërroi jetë në një klinikë në Milano pas tri javësh luftë për jetën. Gazetari i gazetës “Bota Sot” nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra në atentatin e 3 qershorit 2005, kur u qëllua me armë zjarri në rrugën Prishtinë–Gjilan, afër fshatit Bresalc.
Pas sulmit, Ajeti fillimisht u trajtua në Kosovë dhe më pas u transferua në Itali për mjekim të specializuar. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë më 25 qershor, duke lënë pas një boshllëk të madh në gazetarinë tonë. Edhe pas më shumë se dy dekadash, vrasja e Bardhyl Ajetit mbetet një nga rastet më të rënda dhe më të pazbardhura të pasluftës në Kosovë.
Ky rast vazhdon të ngrejë pikëpyetje serioze mbi sigurinë e gazetarëve dhe sfidat me të cilat përballej fjala e lirë në një periudhë të ndjeshme politike. Duke folur për këtë rast, analisti politik, Faton Mehmeti e ka cilësuar për “Bota sot” vrasjen si një goditje të drejtpërdrejtë ndaj medias së lirë. Mehmeti ka deklaruar se në atë periudhë situata ishte shumë e vështirë.
Faton Mehmeti “Vrasja e Bardhyl Ajetit ka qenë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë, respektivisht ndaj “Bota Sot”, e cila ishte e vetmja media që nuk ishte kapur nga komandantët e luftës dhe e cila tregonte gjëra të vërteta, të cilat për kohën ishin mjaft të rrezikshme. Sepse të kujtojmë se në atë kohë situata ka qenë shumë e vështirë.
Këtyre njerëzve, të cilëve më vonë u ra maska, iu pa haptas se qëllim e çlirimit të Kosovës e kishin pasur grabitjen e shtetit të Kosovës”, ka thënë ai. Mehmeti ka theksuar se Bardhyl Ajeti duhet të kujtohet me pietet dhe shprehu habi që Shoqata e Gazetarëve të Kosovës nuk ka bërë përkujtim për të.
Po ashtu, ai ka shprehur skeptik se institucionet e Kosovës mund ta zbardhin rastin, duke shtuar se shpreson që vrasjet e pasluftës, përfshirë edhe atë të Ajetit, të hetohen nga Gjykata e Hagës. “Andaj e kujtojmë Bardhylin me pietet.
Është e habitshme se si Shoqata e Gazetarëve të Kosovës nuk ka bërë asnjëherë ndonjë përkujtim për figurën e Bardhyl Ajetit, i cili u vra për shkak të fjalës së lirë. Nuk është se Bardhyli u vra për diçka tjetër.
Kështu që është e pafalshme një gjë e tillë, por mbes me shpresë që vrasjet e pasluftës, duke e përfshirë edhe Bardhylin në mesin e tyre, do të zbardhen shumë shpejt në Gjykatën e Hagës, sepse nuk pres që Kosova ka kapacitete edhe për një kohë shumë të gjatë t’i zbardhë dhe të merret me këtë vrasje.
Sepse sigurisht se njerëzit që kanë dhënë urdhër kanë qenë njerëz me funksione të larta, kështu i bie të jetë”, ka shtuar Mehmeti. Në fund, Mehmeti ka potencuar se vështirë të mendohet që Bardhyl Ajeti është vrarë pa porosi, se gazeta “Bota Sot” vazhdon misionin e saj për fjalën e lirë.
“Përndryshe, vështirë që dikush ta ketë marrë armën për ta vrarë Bardhylin pa i bërë asgjë, sepse Bardhyli nuk i kishte hak askujt, por thjesht ka qenë e porositur nga lart, nga njerëz të cilëve u është prishur terezin dhe në këtë mënyrë është vrarë në tentim për ta ndalur fjalën e lirë.
Mirëpo, “Bota Sot” e ka vazhduar misionin e saj të shenjtë ndaj fjalë së lirë, akoma edhe sot e vazhdon. Gjë që e mban atë si një tribunë të fjalës së lirë, ndërsa Bardhyli mbetet një hero i saj”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.
