Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po hyn në një fazë të re të procesit të integrimit europian, me synimin që mbyllja e kapitujve të negociatave të vijojë para fundit të këtij viti dhe të përshpejtohet gjatë vitit të ardhshëm.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama theksoi angazhimin e qeverisë për të çuar përpara procesin, duke deklaruar se një pjesë e konsiderueshme e kapitujve synohet të mbyllet vitin e ardhshëm.
“Unë dua të konfirmoj edhe një herë, edhe publikisht, vullnetin tonë të hekurt për të çuar përpara të gjitha punët e një procesi që tanimë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Përgatitemi për të nisur me mbylljen e kapitujve para fundit të vitit dhe pastaj për të vijuar vitin e ardhshëm me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve”, tha ai.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Bashkimit Europian dhe instrumentet e vëna në dispozicion përmes Planit të Rritjes, ndërsa ritheksoi angazhimin për vijimin e reformave që lidhen me procesin e anëtarësimit.
