Tre eksodet që hapën dyert e Shqipërisë drejt Perëndimit

0%

Ndërsa qyteti i Barit përkujton 35-vjetorin e mbërritjes së anijes “Vlora”, dëshmitë e emigrantëve risjellin në vëmendje dy eksodet që i paraprinë dhe historinë e harruar të largimit masiv të shqiptarëve drejt Perëndimit.

Tre javë më parë, Bashkia e Barit organizoi një ceremoni për 35-vjetorin e mbërritjes së anijes “Vlora”, e cila më zbarkoi në qytetin italian rreth 20 mijë shqiptarë të nisur nga Durrësi.

Mediat italiane që përcollën ceremoninë cituan kryebashkiakun Vito Leccese, i cili kujtoi pritjen që qytetarët e Barit u rezervuan shqiptarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të “solidaritetit dhe humanizmit të komunitetit”. Mbërritja e “Vlorës” në Bari është një prej episodeve më të njohura të eksodit shqiptar pas rënies së komunizmit, kryesisht falë fotografive të Luca Turit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pamjet e shqiptarëve të drobitur që hidheshin në ujë nga bordi i anijes bënë xhiron e botës, ndërsa fotografët e ATSH-së dokumentuan në Durrës nisjen kaotike të saj. Me kalimin e viteve, këto imazhe e kthyen “Vlorën” në simbolin kryesor të eksodit shqiptar drejt Italisë.

Por historia e emigracionit masiv me anije nga Shqipëria kishte nisur më herët dhe ajo e “Vlorës” përfundoi shumë më keq nga sa sugjeron sot kujtesa e ceremonive përkujtimore. Shumica e shqiptarëve që zbarkuan më 8 gusht në Bari u mbyllën në stadiumin e vjetër të qytetit, në kushte të vështira.

Përplasjet mes autoriteteve lokale dhe qeverisë italiane për fatin e tyre përfunduan me vendimin për t’i kthyer në Shqipëri. Brenda pak ditësh, rreth 75 për qind e tyre u riatdhesuan me avionë drejt Tiranës. Megjithatë, “Vlora” ka mbetur në kujtesën kolektive si simboli kryesor i largimit masiv të shqiptarëve drejt Italisë, duke lënë në hije dy eksode të tjera që i paraprinë.

Nga korriku 1990 deri në gusht 1991, në tre momente të ndryshme dhe në rrethana politike që ndryshonin me shpejtësi, mijëra shqiptarë kaluan Adriatikun me anije. Eksodet dëshmuan krizën e thellë të regjimit komunist dhe më pas të tranzicionit, por edhe aspiratën e shqiptarëve për liri dhe një jetë më të mirë në Perëndim.

Udhëtimi i parë drejt lirisë Porti i Durrësit u bë për herë të parë pikënisje e një largimi masiv në korrik 1990, pas krizës së ambasadave në Tiranë. Mijëra shqiptarë hynë në ambasadat e Gjermanisë Perëndimore, Italisë, Francës dhe vendeve të tjera, duke kërkuar azil politik.

Pas disa ditësh të kaluara në oborret e mbipopulluara të përfaqësive diplomatike, regjimi komunist pranoi largimin e tyre. Refugjatët u nisën natën me autobusë drejt Durrësit, nën mbikëqyrjen e policisë dhe ushtrisë. Fatmir Lazo, një prej shqiptarëve që kishte hyrë në ambasadën franceze, e kujton edhe sot udhëtimin.

“Autobusi i pestë, pikërisht autobusi ku ndodhesha unë, pësoi defekt dhe u shkëput nga pjesa tjetër e autokolonës,” tha ai për BIRN. Ndarja nga autobusët e tjerë dhe prania e forcave të sigurisë krijuan menjëherë frikë mes pasagjerëve.

“Në atë errësirë, me autobusët e tjerë të distancuar nga ne dhe me policinë e ushtrinë përreth, dikush tha: ‘Na kanë zënë pritë, do të na vrasin, na kanë rrethuar’,” kujton Lazo. Për ditë me radhë, ambasada kishte qenë për ta një strehë nga regjimi. Dalja prej saj, megjithëse i çonte drejt Perëndimit, nuk u dha menjëherë ndjesinë e lirisë.

“Për ditë të tëra kishim jetuar pas kangjellave të ambasadës, në një vend që nga jashtë dukej si burg, por që për ne kishte qenë strehë dhe mbrojtje,” tha Lazo. “Brenda atyre kangjellave ndiheshim të sigurt. Tani po dilnim prej tyre dhe, në vend që të ndienim lirinë, kishim përsëri ndjesinë sikur po hynim në një burg tjetër, vetëm se kësaj here nuk kishte kangjella.

Kishte errësirë, policë, ushtarë dhe një rrugë të zbrazët që nuk dinim ku do të na çonte.” Nga Durrësi, anijet u nisën drejt Brindizit dhe refugjatët shqiptarë u shpërndanë më pas në vendet që kishin pranuar t’i strehonin. Lazo jeton prej asaj kohe në Francë, ku ka shkruar dhe përkthyer disa vepra.

Por korrikun e vitit 1990, që më vonë do të përshkruhej edhe si “rënia e Murit të Berlinit” për shqiptarët, vazhdon ta kujtojë në hollësi. Sipas tij, përjetimet e atyre që ikën rrezikojnë të mbulohen nga harresa, ndërsa historia e këtyre ngjarjeve mund të deformohet me kalimin e kohës.

Brindizi, porti i shpresës Vetëm shtatë muaj më vonë, në fillim të marsit 1991, mijëra shqiptarë iu drejtuan përsëri portit të Durrësit. Këtë herë rrethanat politike ishin të ndryshme. Zgjedhjet e para pluraliste nuk ishin zhvilluar ende, por regjimi komunist kishte humbur kontrollin që kishte pasur vetëm pak muaj më parë.

Burra, gra dhe fëmijë hynë në port dhe hipën në çdo anije që mund t’i çonte përtej Adriatikut. Brenda pak ditësh, 24 anije me afro 20 mijë shqiptarë mbërritën në Brindizi. Motopeshkatorja “26 Marsi” kishte në bord vetëm 15 persona, ndërsa anije të tjera transportuan nga 3 mijë deri në 5 mijë vetë.

Më shumë se 5 mijë shqiptarë u nisën nga Durrësi me anijen “Legend”, sipas të dhënave të botuara në librin-album “Brindisi, il porto della speranza”, të Mario Adda Editore. Mediat italiane e cilësuan atë si “eksodin biblik të shqiptarëve”, duke sjellë në kujtesë edhe largimin e arbëreshëve drejt Italisë pas vdekjes së Skënderbeut në shekullin XV.

Përballë mbërritjes së papritur të mijëra njerëzve, banorët e Brindizit hapën shtëpitë, shpërndanë ushqime dhe veshje dhe ndihmuan në strehimin e tyre. Alban Ikonomi ishte një prej shqiptarëve që mbërriti atë mars në qytetin italian. Ai kujton se një grua e moshuar italiane e mori atë dhe dy bashkëmoshatarë dhe i çoi në vilën e familjes së saj në bregdet.

“Na ofroi të laheshim dhe të hanim dhe më pas na tregoi se ku jetonte në qytet,” kujton Ikonomi. Ata qëndruan disa muaj në Brindizi, ndërsa më pas shumica e shqiptarëve u nisën drejt qyteteve të veriut të Italisë në kërkim të punës. Ikonomi ndodhej ende në Brindizi në gusht 1991, kur anija “Vlora” mbërriti në Bari. Ai e ndoqi ngjarjen nga televizioni.

“E përjetuam keq atë që pamë në TV,” tha ai. Tridhjetë e pesë vjet më vonë, Bari vazhdon të përkujtojë mbërritjen e “Vlorës” dhe solidaritetin e treguar ndaj shqiptarëve. Por historia e atyre që mbërritën në Brindizi pesë muaj më parë ka marrë shumë më pak vëmendje.

Edhe në Shqipëri, tre eksodet që shoqëruan rënien e regjimit komunist dhe fillimin e tranzicionit kujtohen rrallë në mënyrë të organizuar.

Ndërsa fotografitë e anijes “Vlora” vazhdojnë të riprodhohen si simbol i emigracionit shqiptar, dëshmitë e njerëzve që kaluan Adriatikun në korrik 1990 dhe mars 1991 tregojnë një histori më komplekse – atë të tre eksodeve që brenda 13 muajsh shënuan fundin e izolimit të Shqipërisë dhe fillimin e emigracionit masiv drejt Perëndimit. reporter.al

Burimi: Kallxo