Bayern Munih dëshiron ta lidhë yllin anglez Harry Kane me një kontratë të re gjatë periudhës së ardhshme, por një pengesë po qëndron në rrugën e marrëveshjes. Kane herë pas here merr oferta nga jashtë Gjermanisë, disa prej tyre nga Arabia Saudite, sipas raportimeve të mëparshme, ndërsa ai është lidhur gjithashtu në më shumë se një rast me një transferim te Barcelona.
Ky interesim ka shtyrë Bayernin të kërkojë zgjatjen e kontratës së sulmuesit. Sipas gazetës “AS”, Harry Kane dhe Bayern Munich kanë hasur në një ngërç në negociatat për rinovimin e kontratës së sulmuesit anglez, e cila skadon në vitin 2027. Kane foli pas fitores së thellë 5-1 të Bayern Munich ndaj Stuttgartit në ndeshjen hapëse të kampionatit. “Takimi i parë u zhvillua këtë javë.
Por çështje të tilla nuk zgjidhen brenda një ose dy javësh. Do të ketë edhe shumë diskutime të tjera rreth detajeve”, tha Kane. I pyetur për klauzolat e kontratës, kapiteni i Anglisë shtoi: “Nuk do të flas për detajet këtu”. Megjithatë, sulmuesi bëri të qartë se është i kënaqur me mënyrën se si po zhvillohen negociatat.
“Gjërat po shkojnë mirë, kështu që gjithçka është në rregull deri tani. Do ta vazhdojmë dialogun gjatë javëve të ardhshme dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”. Kane vazhdoi: “Ka shumë faktorë që ndikojnë në një kontratë të tillë. Jam 33 vjeç, kështu që kjo mund të mos jetë kontrata ime e fundit, por sigurisht që është një kontratë e rëndësishme për mua.
Unë duhet të jem i lumtur dhe edhe klubi duhet të jetë i lumtur. E mira është se asnjëra palë nuk është e shqetësuar. Për momentin janë thjesht diskutime të hapura, siç ka ndodhur me çdo kontratë gjatë karrierës time”. Pika kryesore e mosmarrëveshjes është kohëzgjatja e kontratës.
Kane, i cili që prej transferimit te Bayern Munich është shpallur tri herë golashënuesi më i mirë i kampionatit gjerman, dëshiron një kontratë afatgjatë, ndërsa drejtuesit e klubit po diskutojnë për një zgjatje prej vetëm dy vitesh. “Unë dua ta rinovoj kontratën për një periudhë të gjatë”, tha Kane. “Por do të shohim se sa do të jetë në fund.
Jam i sigurt se do të arrijmë një marrëveshje që i kënaq të dyja palët. Shpresoj që të ndodhë kështu.” Edhe drejtori ekzekutiv i Bayern Munich, Jan-Christian Dreesen, u shfaq optimist për situatën. “Harmonia është perfekte, kështu që jemi plotësisht të qetë për këtë çështje. Nëse ndodh një ditë para apo një ditë pas, nuk ka rëndësi”, deklaroi Dreesen.
