Kapiteneria e Portit të Durrësit bën me dije se ka ndaluar dje, më 28 gusht, hyrjen në radën e portit të anijes “Hanuman”, një tanker me numër IMO 9295048, që lundron nën flamurin e Sierra Leones. Anija është listuar nga Inteligjenca e Mbrojtjes së Ukrainës, GUR, dhe shërbimet e tjera si pjesë e së ashtuquajturës “flotë hije” ruse.
Në databazën zyrtare të GUR, “Hanuman” klasifikohet si anije e përfshirë në transportin e naftës ruse dhe produkteve të saj në kundërshtim me embargon e luftës së G7 dhe Bashkimit Evropian dhe politikën e kufirit të çmimit, të njohur si “price cap”, raporton tch .
Sipas të dhënave të publikuara nga shërbimi ukrainas, në shtator të vitit 2025 “Hanuman” ka transportuar më shumë se 30 mijë tonë produkte nafte ruse nga porti i Novorossiysk në drejtim të Turqisë. GUR evidenton gjithashtu raste të fikjes së sistemit të identifikimit automatik, AIS, si dhe hyrje të anijes në porte ruse.
Në të dhënat e publikuara për “Hanuman” përfshihen edhe disa nga portet që anija ka vizituar, mes tyre Durrësi. Vendimi i Kapitenerisë së Durrësit për të mos lejuar hyrjen e “Hanuman” vjen në një kohë kur transporti detar i naftës ruse dhe përdorimi i flotave të ashtuquajtura “hije” mbeten nën vëmendje të shtuar ndërkombëtare.
